Mbahet Forumi i Biznesit Shqipëri – Kosovë, kryeministrat zotohen për lehtësira tregtare

Në Elbasan të Shqipërisë po mbahet Forumi i Biznesit Shqipëri – Kosovë, në një bashkëbisedim të kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti me përfaqësuesit e bizneseve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ka potencial më të madh për shkëmbimet tregtare mes të dyja vendeve.

“Edhe sot një pjesë e marrëveshjeve të bëra, adresojnë pikërisht nevojën e lehtësimit të këtyre shkëmbimeve, transiti i përbashkët dhe zhdoganimi, është një punë e nisur qysh prej disa viteve. Por tanimë kemi një plan veprimi të përbashkët”, tha ai.

Rama ka ironizuar edhe në raport me Bashkimin Evropian, kur ka folur për njohjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare dhe fito-sanitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Po e mbyll me, më në fund, njohjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare dhe fito-sanitare, që edhe ky është një problem. Se mirë problemi që e kemi me Bashkimin Evropian që nuk na i integron delet tona, por që ne të mos integrojmë delet e njëri-tjetrit dhe që për të çuar delet nga Shqipëria në Kosovës apo anasjelltas të kemi të njëjtin problem siç kemi për t’i çuar në BE, kjo është pak si e tepërt. Natyrisht është edhe një burim humori me Albinin, por është më shumë një humor nga e keqja dhe këtë të keqe tashmë e kemi hequr nga rruga”, theksoi kryeministri shqiptar.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se vendi është i ndikuar nga tregtia e jashtme duke shtuar e Shqipëria është vend me rëndësi të posaçme për Kosovën në këtë aspekt.

“Rregullimi i tregtisë së lirë mes dy vendeve tona daton qysh nga viti 2003, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë. Nëse i shohim shifrat nga e kaluara vërehet qartë tendenca e rritjes së qarkullimit të mallrave mes dy vendeve. Në dekadën e fundit, eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë janë rritur për 257 për qind, ndërkaq importet për 174 për qind”, tha ai.

Kurti ka shtuar se për këtë meritore janë bizneset dhe vendet nuk duhet të kënaqen me kaq sa i përket mallrave.

Kryeministri kosovar tha se Qeveria e Kosovës zotohet që të gjitha barrierat do të hiqen  për punëtorët që vijnë nga Shqipëria dhe nuk do të ketë asnjë procedurë shtesë për ata që të punojnë në Kosovë.

Dy Qeveritë mes tjerash sot kanë nënshkruar edhe marrëveshje për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

Këto janë 13 marrëveshjet e nënshkruara sot mes Kosovës dhe Shqipërisë