MASHTI flet për fillimin e vitit shkollor, në 5 shkolla të Kamenicës mësimi nuk nisi

Në 5 shkolla të komunës së Kamenicës nuk ka filluar mësimi sot ashtu siç ishte paraparë.

Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila thekson se Drejtoria e Arsimit e ka shpërndarë kuadrin mësimor në shkolla të tjera.

“Në Kamenicë, ndërkaq, mësimi nuk ka filluar në 5 shkolla (“Asllan Thaqi” – Karaçevë e Poshtme, “Hasan Prishtina”- Busavatë, “Xhelal Sopi” – Petroc, “Skënderbeu” – paralelja fizike në Hogosht, “Sadri Misini” paralelja fizike në Shipashnicë), për arsye se DKA e kësaj komune e ka shpërndarë kuadrin mësimor në shkolla të tjera”, thuhet në njoftim për media.

Tutje MAShTI ka bërë të ditur se kryesisht shkollat kanë zhvilluar mësim sot sipas skenarit A, me prani fizike në shkolla, ndërsa  janë vetëm një numër i vogël i shkollave (2 shkolla në Drenas, 3 në Ferizaj, 4 në Gjilan, 1 në Viti dhe të gjitha shkollat e mesme të larta në Gjakovë), që e kanë filluar mësimin sipas skenarit B, pra me mësim të kombinuar.

“Ndërsa, në ndërrimin e pasdites, është raportuar se shumica e shkollave kanë filluar procesin mësimor sipas skenarit A, ndërsa sipas skenarit B kanë filluar 1 shkollë në Gjilan, 3 në Ferizaj, 2 në Drenas dhe shkollat e mesme të larta në Gjakovë. Me skenarin C ka filluar mësimi në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë vetëm për klasët e 11-ta dhe 12-ta për shkak të renovimeve që janë duke u bërë në shkollë”, është bërë e ditur më tej.

MASHTI ka bërë të ditur se Komuna e Rahovecit nuk ka raportuar sa i përket ditës së parë të fillimit të vitit shkollor, respektivisht zhvillimit të procesit mësimor në këtë komunë.

Edhe këtë vit shkollor, përmes udhëzuesit të rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë COVID-19, është lënë mundësia e organizimit të mësimit përmes skenarëve A, B, C, të cilëve u është shtuar edhe skenari i rikthimit, që nënkupton mësimin me prani fizike dhe me orar të plotë.

“Për zbatimin e skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike, do të kujdeset task forca në nivel të institucionit në bashkëpunim me task forcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim”, thuhet më tej në njoftim.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator, por pas rritjeve të rasteve me COVID-19, ishte shtyrë për 13 shtator e më pas me një vendim të ri është rishtyrë deri më 26 shtator.