Jusuf Thaçi, Foto:Facebook

Ish-zv.ministri i Kurtit kritikon ministren Nagavci për propozimin që prindërit të blejnë librat e fëmijëve e pastaj të rimbursohen

Eksperti i arsimit, njëherësh ish-zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë Kurti 1, Jusuf Thaçi, ka reaguar ndaj propozimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që për blerjen e librave shkollorë paratë t’u transferohen prindërve.

Përmes në postimi në Facebook, Thaçi ka thënë blerja e librave më pakicë nga prindërit nuk është me e lirë se ajo me shumicë nga Ministria.

“Përveç që çmimi i pakicës (si rregull) del më shtrenjtë se çmimi i shumicës, edhe nën supozimin që ministria e cakton çmimin e pakicës, sërish ka kosto shtesë kur librat blihen nga prindërit”- ka shkruar ai në Facebook.

Thaçi ka listuar 4 arsyet përse ideja e propozuar sot nuk është e duhura për sistemin arsimor:

1. Rrjeti i distribuimit e përfshinë shtesë fitimin e vet në çmim (sepse askush nuk punon pa fitim).

2. Qindra-mijëra prindër duhet të harxhojnë kohë e pare për transport (sepse nuk iu vijnë librat as në shtëpi e as në shkollë).

3. Qindra-mijëra transaksione duhet të ekzekutohen nga shteti për rimbursimin e prindërve. Secili transaksion duhet të konfirmohet para se të ekzekutohet. Kjo kërkon shumë resurse njerëzore e teknologjike. Shtesë kësaj, shpresoj të mos ketë edhe “transaction fee”, sepse kjo do të rezultonte me qindra-mijëra euro humbje shtesë, ose për shtetin ose për prindërit.

4. Mësimdhënësit do të bombardohen nga prindërit me pyetje, sepse për të njëjtën lëndë dhe klasë mund të ketë disa tekste shkollore të miratuara, e prindërit nuk e dinë cili tekst do të përdoret për fëmijët e tyre. Veç kësaj, një pjesë e madhe e prindërve nuk do t’ua blejnë me kohë tekstet nxënësve. Kjo do të rezultojë me qindra-mijëra orë mësimore të humbura (efektivisht).

Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e vitit shkollor, sot në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’u transferohen drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.

Sipas saj, për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve.