Foto: ZKM

Masat për coronavirusin: Mbledhja e Qeverisë mbahet e mbyllur për media

Mbledhja e Jashtëzakonshme e Qeverisë së Kosovës në të cilën në rend të ditës ka qenë shqyrtimi i masave shtesë pas konfirmimit të dy rasteve me coronavirus në Kosovë, është duke u mbajtur e mbyllur për media.

Fillimisht mbledhja e Qeverisë ishte paralajmëruar të mbahej në orën 19:00. Pas fillimit të mbledhjes, kryeministri Kurti e ndërpreu këtë mbledhje për 15 minuta, për shkak të mungesës së Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Pas 15 minutave, rifilloi mbledhja, por kryeministri Kurti njoftoi se kjo mbledhje do të mbahet e mbyllur për media, duke e ndërprerë edhe transmetimin e drejtpërdrejtë.

Deri sot, Kosova ka qenë një ndër vendet e pakta ku nuk kishte persona të prekur me coronavirus por sot janë regjistruar zyrtarisht dy rastet e para.

Dy të prekurit me coronavirus kishin ardhur nga Italia, një 77 vjeçar nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një 22 vjeçare nga Klina.

Shefi i Kabinetit të kryetari të Komunës së Vitisë, Jakup Haxhiu ka njoftuar se personat që kanë pasur kontakt me 77 vjeçarin e prekur me coronavirus do të izolohen.

E nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka thirrur një mbledhje të shtabit emergjent të Komunës.

77 vjeçari me coronavirus hyri në Kosovë më 5 mars nga Italia