77 vjeçari me coronavirus hyri në Kosovë më 5 mars nga Italia

Dy raste janë konfirmuar gjatë ditës së sotme pozitive me virusin corona.

Kështu është bërë e ditur nga ana e Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Vitisë, Basri Aliu i cili tha se 77 vjeçari ka ardhur nga Italia në fillim të këtij muaji.

“Në bazë të informatave që i kemi nga familjarët e tij, nuk po mundem me dhanë informata të sakta, dikund ka hy me 5 mars në Kosovë prej Italisë. Mbrëmë në orët e vona është paraqitur në emergjencë të Vitisë, mjekët kanë dyshuar dhe e kanë përcjellë për në Gjilan”, tha Aliu.

Ai shtoi se ende nuk është në dijeni për personat apo familjen e 77 vjeçarit nëse është izoluar apo jo.

“Sa për familje nuk kemi ende në informacion sepse deri tash nuk kemi marrë informacion zyrtar. Na këtu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare i kemi ndërmarrë të gjitha masat e tona, domethënë objekti ku ka qenë pacienti ka qenë i boshatisur dhe është bërë dezinfektimi i tij sot pasdite. Ndërsa stafi mjekësor që ka qenë prezent kanë qenë në karantinë, prej nivelit qendror reagimet kanë qenë të ngadalshme në këtë rast”, tha Aliu per KALLXO.com.

Sipas Aliut ende nuk dihet në lidhje me raportin e analizave te stafit të mjekëve qe kanë kontrolluar 77 vjeçarin.

”Janë procedurat te cilat janë por masat për të izoluar janë ndërmarrë në bazë të udhëzimeve që na kanë dhanë ministria, me personat qe kanë pasur kontakt. Ata mund të mos jenë të infektuar mirëpo paraprakisht të merren masat paraprake”, tha Aliu në fund.