Masat për coronavirus, propozohet angazhim i mjekëve vullnetarë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbajti sot një takim me drejtues të institucioneve shëndetësor dhe përfaqësues të organizatave të komunitetit mjekësor dhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gjatë këtij takimi u propozua që të ketë lehtësime pëe stafin mjekësor duke angazhuar vullnetarë që tashmë kanë shprehur gatishmërinë.

“Në këtë takim është propozuar që të këtë lehtësime për stafin mjekësor më të moshuar; të inkuadrohen vullnetarët që kanë shprehur gatishmërinë, organizimi i ekipeve mobile për vizita të qytetarëve që kanë shenja të dyshimit në COVID-19, furnizimi me materiale mbrojtëse i zonave ku janë ndaluar hyrje-daljet”, thuhet në njoftimin e MSh.

Sipas komunikatës, këto dhe masat e tjera të dakorduara njëzëri në këtë takim i cili do të koordinohet si një trup i vetëm në mbrojte të shëndetit të popullatës, do të publikohen pasi që ato të aprovohen nga Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave, pjesë e të cilit janë të gjitha institucionet relevante, ndërsa, më pas do t’i adresohen Komisionit të Veçantë të udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Deri në këto momente në Kosovë janë konfirmuar 13 persona të prekur nga coronavirusi. Kurse, mbrëmë Qeveria e Kosovës shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik.

Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga coronavirusi, me gati 25,000 të prekur dhe me mbi 1,800 viktima.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur coronavirusin pandemi pas rritjes së numrit të të prekurve sidomos në Europë.

Në nivel global deri më tani janë shënuar mbi 174 mijë raste me coronavirus. Kurse janë shënuar 6 mijë e 684 vdekje, kurse janë shëruar 77 mijë e 865 raste.