Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lista se ku mund të vaksinohen qytetarët nëpër komuna, vaksinimi vazhdon edhe gjatë vikendit  

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vaksinimi i qytetarëve kundwr COVID19, do të vazhdojë edhe gjatë vikendit në gjithë vendin.

“Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se procesi i vaksinimit kundër COVID-19 vazhdon edhe gjatë ditëve të vikendit si në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ashtu edhe në komunat e tjera të vendit, në lokacionet e caktuara nga Drejtoritë Komunale për Shëndetësi sipas tabelës së bashkëngjitur”, thuhet në njoftim.

Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori”, sipas njoftimit do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-kosova dhe sipas terminit të caktuar.

Po ashtu, në njoftim thuhet se vaksinimi nëpër komuna gjatë dy ditëve të ardhshme, bëhet sipas ftesave të marrura dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.

Sipas MSH-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.

“Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme, deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës. MSh është e angazhuar që të siguroj numër sa më të madh të vaksinave kundër COVID-19, ndërsa gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen, pritet ardhja edhe e kontingjenteve tjera të vaksinave”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Më poshtë lista e qendrave aktuale të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.