Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Masat e reja: Ministria e Shëndetësisë ndalon punën për ordinancat private stomatologjike dhe fizikale

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka njoftuar se ka marrë disa masa të reja, për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Sipas njoftimit, do të ndalohen për të punuar ordinancat private stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale.

Në njoftim gjithashtu thuhet se institucionet shëndetësore publike të stomatologjisë të tri niveleve, duhet të punojnë vetëm në raste urgjente.

Po ashtu, Ministria ka urdhëruar të ndalojnë punën Institucionet private për rehabilitim fizikal dhe klimatik, të tila si ‘Banja e Kllokotit’ apo ‘Nëna Naile’.

Këto janë masat e reja të marra nga Ministria e Shëndetësisë:

Urdhërohen menjëherë Institucionet shëndetësore publike stomatologjike në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës të punojnë vetëm në raste urgjente respektivisht në menaxhimin e dhimbjeve dhe indikacionet për nxjerrje të dhëmbit; dhe të menaxhojnë stafin konform situatës aktuale;

 Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha Institucionet shëndetësore private spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës që ofrojnë shërbimet për rehabilitim fizikal dhe klimatik dhe shërbimet e terapisë fizikale me rehabilitim (Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa);

Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha Institucionet shëndetësore private jashtë spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si ambulancat stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale”.