Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, Foto: KALLXO.com

Marrëveshja e Policisë me SHSKUK-në për trajtim me prioritet të policëve, deklarohet kryetari i Sindikatës së Policisë

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka deklaruar se nuk e ka parë marrëveshjen e nënshkruar mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për shërbime me prioritet ndaj zyrtarëve policorë. Ai theksoi se nuk e di çfarë kanë nënkuptuar tek pjesa për prioritet.

Zeqiri në një deklarim për KALLXO.com u shpreh se ka mjaftuar të jetë kjo e shërbimeve pa pagesë, derisa për pjesën tjetër i duhet të shoh marrëveshjen.

“Vetëm në postim e kam parë, nuk e kam lexuar marrëveshjen, pasi nuk e kam parë të gjithën, nuk di çfarë të them, ka mjaftuar me qenë kjo e shërbimeve pa pagesë, por të gjithë e dijmë sa shërbime ka në SHSKUK. Në rregull është kjo sa i përket te pagesa, te pjesa tjetër nuk e di si e kanë vendosur dhe çfarë kanë dashur të thonë. Duhet të shoh çka realisht ka në marrëveshje”- u shpeh Zeqiri.

Marrëveshjen mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e konsideruan të kundërligjshme deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu si dhe Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.

Haxhiu theksoi se sa i përket listave të pritjes që përmenden në postim, është në kundërshtim me Ligjin për Shëndëtësi.

“Sa i përket listave të pritjes kjo marrëveshje është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi , nenin 4 dhe 5, ku saktësohet, se të gjithë qytetarët dhe banorët kanë të drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor”- deklaroi Haxhiu.

Tutje, sipas tij, kjo është marrëveëshje propagandistike pa asnjë efekt tjetër sepse shërbimet shëndetësore në sektorin publik janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, do të thotë edhe për policët.

Derisa, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve e ka quajtur këtë marrëveshje të kundërligjshme.

“Çdo qytetar ka të drejtë të qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi, sipas ligjit” – ka shkruar Kodra.

Ai madje paralajmëroi se do e dërgojnë edhe tek Avokati i Popullit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshja që siguron mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore të zyrtarëve policorë.

Ai shtoi se trajtimi i tyre mjekësor me prioritet shkon në mbështetje të misionit të tyre dhe se zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet, duke përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pra dhe në të gjitha Spitalet Rajonale të Republikës së Kosovës.

Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk morën pjesë në seancën ku do të shqyrtohej projekt-rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës, e cila u thirr nga partitë opozitare.

Dokumenti parashihte shtesa për policët në raste të rrezikshmërisë së lartë, pagesa për sigurim shëndetësor dhe projektligjin për pensionim të parakohshëm – përfitime që aktualisht nuk ekzistojnë.

Ai u hartua gati tri javë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Marrëveshja e Policisë me SHSKUK-në për trajtim me prioritet të policëve, përfaqësuesi i pacientëve e quan të kundërligjshme