Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Marrëveshja e Policisë me SHSKUK-në për trajtim me prioritet të policëve, përfaqësuesi i pacientëve e quan të kundërligjshme

Marrëveshja mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës që zyrtarëve policorë dhe rekrutëve t’u ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet shëndetësore, po konsiderohet e kundërligjshme nga përfaqësuesi i pacientëve, Besim Kodra.

Sipas kësaj marrëveshje për të cilën njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet duke përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve përmes një reagimi e ka quajtuar këtë marrëveshje të kundërligjshme.

“Çdo qytetar ka të drejtë të qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi, sipas ligjit” – ka shkruar Kodra.

Tutje, në një deklarim për KALLXO.com ka deklaruar se do ta dërgojë marrëveshjen tek Avokati i Popullit.

“Edhe nëse hiç nuk e marr marrëveshjen, vetëm postimi është i mjaftueshëm për ta dërguar te Avokati i Popullit” – është shprehur Kodra.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja që siguron mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore të zyrtarëve policorë.

“Zyrtarët policorë duhet të jenë në shërbim dhe të gatshëm në përmbushjen e detyrave në çdo kohë. Sot është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorit të ShSKUK-së Elvir Azizi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, përmes së cilës personelit policorë dhe rekrutëve do të iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK dhe në të gjitha Spitalet Rajonale”- ka njoftuar Sveçla.

Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk morën pjesë në seancën ku do të shqyrtohej projekt-rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës, e cila u thirr nga partitë opozitare.

Dokumenti parashihte shtesa për policët në raste të rrezikshmërisë së lartë, pagesa për sigurim shëndetësor dhe projektligjin për pensionim të parakohshëm – përfitime që aktualisht nuk ekzistojnë.

Ai u hartua gati tri javë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Sveçla: Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet në kontrolle shëndetësore