Podgorica, Foto: Wikipedia

Mali i Zi mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Në Mal të Zi do të mbahen sot zgjedhjet parlamentare, ku të drejtë vote kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore.

Këto votime pritet të përcaktojnë nëse Mali i Zi, anëtar i NATO-s do të tejkalojë paqëndrueshmërinë që ka penguar rrugëtimin e vendit për t’iu bashkuar BE-së.

Sondazhet dhe analistët parashikojnë se “Lëvizja Evropa” tani, e drejtuar nga Milojko Spajic dhe presidenti aktual Jakov Milatovic, ka shumë gjasa të fitojë shumicën e votave por jo mjaftueshëm për të arritur ta formojë vetë qeverinë e re, që të jetë e qëndrueshme me detyra prioritare e ta nxjerrë vendin nga kriza shumëvjeçare politike dhe ekonomike dhe të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Partia Demokratike e Socialiste, e drejtuar dikur nga Gjukanoviq, ka pësuar një rënie të mbështetjes popullore pas tre dekadash që ka dominuar politikën e vendit.

Pjesë e listës së votimit është edhe koalicioni “Forumit Shqiptar”, i përbërë nga Alternativa Shqiptare (AA), Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve. Ajo udhëhiqet nga kreu i AA-së dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeljoshaj.

Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe “Koalicioni i Bashkuar për Reforma” pjesë e të cilit është edhe kryeministri në detyrë Dritan Abazoviç, si dhe koalicioni i quajtur “Për të ardhmen e Malit të Zi”.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë/RTK/.