LVV vendos poster te ulësja e kryetarit Rama - 'Komuna e Prishtinës - Zyre për Patundshmëri'

Partia opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje, gjatë seancës së sotme, te vendi ku ulet kryetari Përparim Rama ka vendosur një poster me përmbajtje “ZYRE PËR PATUNDSHMËRI – LDK&PDK REAL ESTATE”.

Kjo pasi sipas tyre, në shenjë pakënaqësie me qasjen e pushtetit komunal “në raport me pasurinë publike, me pronat dhe të mirën e përgjithshme”.

Asamblistët e LVV-së nuk janë pajtuar që të zhvillohet seanca sipas tyre “me legjitimitet të kontestuar”.

Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla tha se përderisa çështja e Kryesuesit të Kuvendit është duke u trajtuar nga gjykata dhe akoma nuk ka një vendim përfundimtar se kush është Kryesuesi legjitim, pushteti në Prishtinë po vazhdon me thirjen e mbledhjeve.

Sipas tij, asamblistët e kësaj partie, po marrin pjesë në këtë seancë, me propozimin që e njejta të ndërpritet dhe të mos ketë seanca tjera deri në sqarimin e plotë të paqartësive juridike që kanë të bëjnë me Kuvendin Komunal.

Por, propozimi i tyre nuk u votua nga asamblistët e partive LDK-PDK.

FOTO: LVV