LVV në Prizren e quan 'dhelpër' LDK-në

Pas dështimit të zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prizrenit kanë filluar thumbimet mes partnerëve të koalicionit në qeverisjen e Mytaher Haskukës.

Drejtori i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, e ka quajtur LDK-në parti të pazareve.

Dakaj po ashtu ka thënë që për këtë parti interesi i qytetarit vjen i fundit dhe se nuk është parti e partneritetit.

“LDK në Prizren është parti e pazareve, por jo e partneritetit. (Dhelpër) Për LDK-në interesi i qytetarit vjen i fundit, sa për PDK-në dihet moti. Kryesuesi i takon Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe do të bëhet”, ka shkruar Dakaj.

Ky reagim vjen pasi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Haskuka, LDK kishte braktisur mbledhjen me arsyetimin se LVV nuk e kishte diskutuar me ta të propozuarin për kryesues të Asamblesë.

Haziz Hodaj, shef i grupit parlamentar të LDK-së, si dhe partner në qeverisjen e Haskukës, ka kërkuar të shtyhet mbledhja e Asamblesë, pasi partnerët nuk kanë diskutuar rreth propozimit të kandidatit për të udhëhequr Asamblenë.

Në një deklaratë për KALLXO.com Hodaj ka thënë se partia e tij ka kërkuar të rishikohet marrëveshja e koalicionit por sipas tij Vetëvendosje nuk e kishte parë të arsyeshme asnjëherë.

“Ne kishim një mundësi që edhe ne të kishim një kandidat nga radhët tona me mundësi të mira të merrnim votat e nevojshme, ndërsa partnerët e koalicionit (VV) kanë vepru njëanshëm me gjithë tentativat tona të  bisedojmë dhe të rishikojmë marrëveshjen dhe propozimin”, ka deklaruar Hodaj.

Ndërsa, rreth deklaratave të LVV se kryesuesi u takon atyre, Hodaj ka thënë se raportet ndërmjet tyre si partner qeverisës kanë ndryshuar pas daljes së Nismës Socialdemokrate nga koalicioni.

“Po, po, marrëveshja fillestare ka qenë ashtu mirëpo në ndërkohë kanë lëvizur gjërat, kanë ndryshuar raportet, kështu që e kemi pa të arsyeshme që me e ndalu këtë qasje të qeverisjes. Jemi për bashkëpunim, por ne kemi dinjitet dhe nuk duam të jemi patericë dhe as bisht i qeverisjes, sepse duhet të konsiderohemi si partnerë”, ka vazhduar më tej Hodaj.

Haziz Hodaj gjithashtu ka thënë se kjo “bllokadë” nuk ka të bëjë me situatën politike ndërmjet këtyre dy partive në nivelin qendror.

“Në asnjë mënyrë kjo s’ka pasur lidhje me situatën e krijuar në Prishtinë dhe raportet e subjekteve tona. Ne as nuk kemi as këshilla apo diçka nga qendra e partisë me vepru kështu. Ne as nuk jemi konsultu me ta, pra është qëndrim ekskluziv i degës së Prizrenit, ata ndoshta as nuk janë në dijeni  për këto lëvizjet tona”, ka përfunduar Hodaj, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e propozimit të një kandidati të LDK-së për mbledhjen e ardhshme të Asamblesë.

Ndërkaq, shefi i asamblistëve të AAK-së, Ilir Baldedaj, ka deklaruar se kjo parti do të qëndrojë në sallë por nuk do të marrë pjesë në votim.

Në mbledhjen e sotme zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë ka dështuar në dy runde pasi që asamblistët e disa partive janë larguar.

PDK edhe pse pati kandidat për kryesues të Asamblesë ka braktisur sallën.

Pas tyre kanë dalë edhe AAK, ndërsa mbledhja është ndërprerë por nuk është mbyllur për shkak të mungesës së kuorumit e zgjedhja e kryesuesit është shtyrë për një ditë të pacaktuar.

Muharrem Elezkurtaj është i propozuari nga Vetëvendosje për kryetar të Asamblesë Komunale.

Ndërsa nga opozita i propozuar për të zënë vendin e kryesuesit është Sulltan Badalli, i cili tashmë është asamblist i PDK-së.

Largimi i Nismës Socialdemokrate nga koalicioni me Vetëvendosjen e LDK-në në Prizren ka ndryshuar raportin e votave dhe numrave në Asamblenë Komunale të kësaj komune.

Sipas Udhëzimit Administrativ nëse edhe për herët e tretë do të dështojë zgjedhja e kryesuesit i tërë procesi do të përsëritet.

Kryetari i Asamblesë së Prizrenit fiton ulëse në Kuvend

Dështon edhe raundi i dytë i zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë në Prizren

Dështon raundi i parë i zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë në Prizren

Partneri i Haskukës në qeverisje lëshon mbledhjen e Asamblesë

Asambleja Komunale në Prizren sot zgjedh kryesuesin e saj