Foto: Ilustrim

Arrestohet edhe Një Aktivist i Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot është arrestuar edhe një aktivist i saj. Fjala është për Faruk Dakajn, i cili dyshohet të ketë marrë pjesë në aksionin për dëmtimin e veturave të EULEX-it në vitin 2009.

Sipas LVV-së, ky arrestim është në vazhdën e fushatës së pushtetit për t’i arrestuar aktivistet opozitarë, duke “keqpërdorur kështu skajshmërisht sistemin e drejtësisë”.

Në reagimin e saj ndaj këtij arrestimi, Vetëvendosje thotë se Qeveria e Kosovës është në panik për shkak të daljes masive të qytetarëve në protesta kundër saj.

“Marrëveshja për “Zajednicën” dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi asnjëherë nuk do të mund të zbatohen në Kosovë.Qeveria antikushtetuese nuk mund të vazhdojë duke përjashtuar dhe arrestuar opozitën”, thuhet në këtë reagim.

Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë ka kërkuar zgjedhje të reja, duke thënë që ato janë të pashmangshme.

Aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” me 25 gusht 2009 në parkingun e EULEX-it, afër stadiumit të Prishtinës, me mjete të ndryshme dëmtuan dhe kthyen përmbys makinat e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.

Lidhur me arrestimin e sotëm, KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës nga e cila, megjithatë, nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.

Faruk Dakaj është në mesin e 27 aktivistëve të Vetëvendosjes që akuzohen për dëmtimin e veturave të EULEX-it në një aksion të ndërmarrë më 25 gushtit 2009. Gjysma e tyre tashmë janë arrestuar dhe janë nxjerrë para gjykatës, ndërsa të tjerët ende janë larg duarve të drejtësisë.

KALLXO.com ka raportuar për nxjerrjen para gjykatës të 13 aktivistëve të arrestuar për këtë vepër penale.

http://kallxo.com/13-aktiviste-te-vv-se-ne-gjykim/