Kryetari i Asamblesë së Prizrenit fiton ulëse në Kuvend

Komuna e Prizrenit pritet të mbetet pa kryesues të Asamblesë Komunale.

Kjo pasi Artan Abrashi që e mban këtë pozitë ka fituar votat për ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 32 deputetë në legjislaturën e ardhshme.

Artan Abrashi ka arritur ti siguroi 10, 442, duke u renditur si i 20 në listën e më të votuarve të VV-së, kështu duke siguruar njërën nga 32 ulëset sa i ka fituar VV-ja.

Artan Abrashi që është kryetar i degës së VV-së në Prizren do të jetë deputet për herë të parë në karrierën e tij politike.

Abrashi për KALLXO.com tha se para se të betohet për deputet, fillimisht do të japë dorëheqje nga pozita e Kryesuesit të Asamblesë.

Ai megjithatë thotë se nuk kanë ndonjë plan se kush do ta trashëgojë ulësen e tij.

“Nëse vlen marrëveshja e vjetër me partnerët e Koalicionit qeverisës në Prizren, atëherë i bie që Vetëvendosja të propozon kryesuesin e ri, në se jo atëherë do të hapet diskutimi dhe do të shohim propozimet, por ende nuk është definitive”, tha Abrashi

Kjo temë sipas Abrashit ende nuk është diskutuar, por fillimisht duhet të diskutohet me kryetarin e Komunës Mytaher Haskukën pastaj edhe me partnerët e koalicionit në Prizren.

KALLXO.com ka raportuar për pasurinë e deputetit të ardhshëm Artan Abrashi.