Asambleja Komunale e Prizrenit

Dështon raundi i parë i zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë në Prizren

30 asamblistë nga 41 kanë votuar për të zgjedhur kryesuesin e Asamblesë Komunale në Prizren.

Prej tyre 18 vota kanë qenë për kandidatin e VV- së, Muharrem Elezkurtaj, 11 prej tyre për kandidatin e PDK-së, Sulltan Badalli ndërsa një votë e pavlefshme.

Asamblistët do të shkojnë në raundin e dytë të votimit pasi për zgjedhjen e kryesuesit nevojiten 21 vota për.

Komuna e Prizrenit sot pritet të zgjedhë kryesuesin e ri të Kuvendit Komunal në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka.

Dorëheqja e kryesuesit të Asamblesë Komunale, Artan Abrashi, i cili është zgjedhur deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, e ka lënë Asamblenë Komunale pa kryesues.

Nga muaji nëntor Asambleja Komunale nuk ka mbajtur asnjë mbledhje.

Muharrem Elezkurtaj është i propozuari nga Vetëvendosje për kryetar të Asamblesë Komunale.

Ndërsa nga opozita i propozuar për të zënë vendin e kryesuesit është Sulltan Badalli, i cili tashmë është asamblist i PDK-së.

Largimi i NISMA-s nga koalicioni me Vetëvendosjen e LDK-në në Prizren ka ndryshuar raportin e votave dhe numrave në Asamblenë Komunale të kësaj komune.

Në anën tjetër, partneri i Haskukës në Qeverisje ka braktisur mbledhjen e asamblesë.

Haziz Hodaj, shef i grupit parlamentar të LDK-së, si dhe partner në qeverisjen e Haskukës ka kërkuar të shtyhet mbledhja e asamblesë.

Kjo kërkesë sipas Hodaj ka ardhur pasi partnerët nuk kanë diskutuar rreth propozimit të kandidatit për të udhëhequr asamblenë.

Ndërkaq, shefi i asamblistëve të AAK-së, Ilir Baldedaj ka deklaruar se kjo parti do të qëndrojë në sallë por nuk do të marrë pjesë në votim.