Mbi 1300 persona të ardhur nga Shqipëria strehohen në Prizren

Tre ditë pas tërmetit shkatërrimtar në Shqipëri, qyteti kufitar i Kosovës, Prizreni ka pritur mbi 1 mijë e 300 persona që kërkuan strehim.

Këtë shifër e ka bërë të ditur Faruk Dakaj, Drejtor i Emergjencave në Komunën e Prizrenit.

Dakaj që aktualisht është emëruar Kordinator ndër institucional për menaxhimin e kampit gjerman në Prizren që po strehon personat e dëmtuar nga tërmeti në Shqipëri ka thënë se janë dy lokacione ku janë të vendosur në mënyrë kolektive personat që kanë kërkuar strehim.

Një ditë pas tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri, Qeveria e Kosovës kishe marrë vendim që ish- baza e KFOR-it Gjerman në Prizren t’i rihap dyert për të pranuar viktimat e tërmetit në Shqipëri.

Kur kishin kaluar më pak se dy ditë nga ky lajmërim, kjo bazë u mbush plot, dhe aktualisht strehon më shumë se 500 persona aty.

Në kampin gjerman, apo ish baza e KFOR-it gjerman në Prizren janë pak më shumë se 500 persona të vendosur aty, ndërsa mbrëmë janë vendosur edhe 120 persona në shkollën e mense “ Gjon Buzuku “ në Prizren në sallën sportive.

Pos këtij numri që dihet , sipas regjistrit që Drejtoria e Emergjencave ka pasur ditën e djeshme kanë qenë pak më shumë se 150 persona të vendosur nëpër shtëpitë private të qytetarëve që kanë ofruar shtëpitë dhe banesat e tyre për strehim.

Ndërsa nëpër objektet hoteliere në Prizren sipas  Dakajt janë rreth 500 persona të vendosur, që arrin shifrën totale rreth 1300 persona të strehuar, por që ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi që nuk ka të dhëna të sakta për ata që janë vendosur aktualisht në Prizren.

Kryetari i komunës Mytaher Haskuka, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe të gjithë ata që i kanë pranuar personat e ardhur nga Shqipëria apo kanë vende të lira dhe mund të pranojnë persona të tjerë.

Haskuka ka ftuar qytetarët që të njoftojnë në numrat kontaktues në Qendrën e Thirrjeve “Alo Komuna” 0800 19 200 dhe në Viber +383 45 119 200, në mënyrë që tëbëhet identifikimi i të ardhurve në Prizren, dhe të formohet një databazë për të pasur më lehtë menaxhimin e kësaj situate.

Haskuka ka kërkuar ndihmë nga organet qendrore qeveritare dhe agjencitë te specializuara për situata emergjente, sepse Komuna e Prizrenit nuk ka kapacitet dhe fonde emergjente për të zgjidhur situata emergjente si kjo e ditëve të fundit.

Situatë emergjente me të strehuarit në Prizren, Haskuka kërkon ndihmë nga qeveria