Foto: Facebook/ Mytaher Haskuka

Pozitat lëkundin koalicionin LVV- LDK në Prizren

Dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë punët mirë në qeverisjen lokale në Prizren, ndonëse janë partnerë koalicioni.

Postet në bashkëqeverisje kanë lëkundur themelet e koalicionit pas daljes së partisë Nisma Socialdemokrate.

Adem Shabanaj, i cili është shef i asamblistëve të LVV, në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se Lidhja Demokratike po kërkon më shumë drejtori ose postin e kryesuesit të Asamblesë.

“Çështjen  e kryesuesit e kemi diskutuar me LDK, por ka kërkesa nga ana e LDK që janë të papranueshme për ne. LDK po kërkon rritjen e numrit të drejtorive, prej 3 drejtorive sa i ka tani po i kërkon 4 drejtori (pra ose një drejtori  më shumë ose postin e kryesuesit të Asamblesë)”, ka thënë Shabanaj, i cili ka shtuar se kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka është marrë vesh për të arritur marrëveshjen qeverisëse me LDK-në.

Gjithashtu Shabanaj ka thënë se pas daljes së Nismës Socialdemokrate nga koalicioni ka qenë e arsyeshme kërkesa e tyre për një drejtori më shumë, por ai ka shtuar se në secilën seancë kanë probleme me votat e partnerit qeverisës.

“Në secilën seancë  të Asamblesë që kemi pasur vazhdimisht kemi pasur probleme me votat dhe numrat e LDK-së, andaj kjo e ka shtyrë kryetarin Haskuka mos të veprojë herët dhe mos të ju japë drejtori më shumë sepse ata brenda grupit të tyre janë të pakonsoliduar”, ka vazhduar më tej ai.

Shabanaj ka përfunduar duke thënë që gjatë javës dy kryetarët e partive, Mytaher Haskuka dhe Anton Quni pritet të dalin me një qëndrim rreth koalicionit.

Drejtori i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, e ka quajtur LDK-në parti të pazareve.

Dakaj po ashtu ka thënë që për këtë parti interesi i qytetarit vjen i fundit dhe se nuk është parti e partneritetit.

“LDK në Prizren është parti e pazareve, por jo e partneritetit. (Dhelpër) Për LDK-në interesi i qytetarit vjen i fundit, sa për PDK-në dihet moti. Kryesuesi i takon Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe do të bëhet”, ka shkruar Dakaj.

Ky reagim vjen pasi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Haskuka, LDK kishte braktisur mbledhjen me arsyetimin se LVV nuk e kishte diskutuar me ta të propozuarin për kryesues të Asamblesë.

Haziz Hodaj, shef i grupit parlamentar të LDK-së, si dhe partner në qeverisjen e Haskukës, ka kërkuar të shtyhet mbledhja e Asamblesë, pasi partnerët nuk kanë diskutuar rreth propozimit të kandidatit për të udhëhequr Asamblenë.

Në një deklaratë për KALLXO.com Hodaj ka thënë se partia e tij ka kërkuar të rishikohet marrëveshja e koalicionit por sipas tij Vetëvendosje nuk e kishte parë të arsyeshme asnjëherë.

“Ne kishim një mundësi që edhe ne të kishim një kandidat nga radhët tona me mundësi të mira të merrnim votat e nevojshme, ndërsa partnerët e koalicionit (VV) kanë vepru njëanshëm me gjithë tentativat tona të  bisedojmë dhe të rishikojmë marrëveshjen dhe propozimin”, ka deklaruar Hodaj.

Ndërsa, rreth deklaratave të LVV se kryesuesi u takon atyre, Hodaj ka thënë se raportet ndërmjet tyre si partnerë qeverisës kanë ndryshuar pas daljes së Nismës Socialdemokrate nga koalicioni.

“Po, po, marrëveshja fillestare ka qenë ashtu mirëpo në ndërkohë kanë lëvizur gjërat, kanë ndryshuar raportet, kështu që e kemi pa të arsyeshme që me e ndalu këtë qasje të qeverisjes. Jemi për bashkëpunim, por ne kemi dinjitet dhe nuk duam të jemi patericë dhe as bisht i qeverisjes, sepse duhet të konsiderohemi si partnerë”, ka vazhduar më tej Hodaj.

Hodaj gjithashtu ka thënë se kjo “bllokadë” nuk ka të bëjë me situatën politike ndërmjet këtyre dy partive në nivelin qendror.

“Në asnjë mënyrë kjo s’ka pasur lidhje me situatën e krijuar në Prishtinë dhe raportet e subjekteve tona. Ne as nuk kemi as këshilla apo diçka nga qendra e partisë me vepru kështu. Ne as nuk jemi konsultu me ta, pra është qëndrim ekskluziv i degës së Prizrenit, ata ndoshta as nuk janë në dijeni  për këto lëvizjet tona”, ka përfunduar Hodaj, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e propozimit të një kandidati të LDK-së për mbledhjen e ardhshme të Asamblesë.

Në mbledhjen e sotme zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë ka dështuar në dy runde pasi që asamblistët e disa partive janë larguar.

Ndryshe, edhe në nivelin qendror këto dy parti nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët qeverisëse pikërisht për shkak të pozitave.

Dështon raundi i parë i zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë në Prizren

Kryetari i Asamblesë së Prizrenit fiton ulëse në Kuvend

Dështon edhe raundi i dytë i zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë në Prizren

Dështon raundi i parë i zgjedhjes së kryesuesit të Asamblesë në Prizren

Partneri i Haskukës në qeverisje lëshon mbledhjen e Asamblesë

Asambleja Komunale në Prizren sot zgjedh kryesuesin e saj