Situata me vërshimet në Prizren, flet drejtori i Emergjencës

Drejtori i Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj ka njoftuar se ka pasur vërshime pas reshjeve të shiut nëpër disa pjesë të Prizrenit, nga të cilat thotë se si pasojë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut në fshatin Nebregosht.

Ai deklaroi se vendet më të prekura janë në rajonin e Anadrinisë, Has dhe në Zhuk.

Dakaj në një përgjigje për KALLXO.com është ankuar për mos përkrahje nga ana e nivelit qendror, por që shton se ekipet e tyre janë në terren vazhdimisht.

“Kemi vërshime në disa lokacione të komunës sonë, në rajonin e Anadrinisë kemi shumë vërshime në fshatra dhe në Has, në pjesën e Zhukut dhe me ekipet e drejtorisë se emergjencave të komunës së Prizrenit, jemi në terren vazhdimisht edhe më ndihmën e kompanive publike që i kemi në territorin e komunës sonë. Momentalisht gjendja është nënkontroll në menaxhimin e situatës, mirëpo kemi vështirësi në arritjen e të gjithave lokacioneve, me kapacitet tona janë të vogla në këtë aspekt. Nuk kemi ndihmë as ndonjë përkrahje nga niveli qendror, por deri më tani po mundohemi me kapacitetet tona”, u shpreh ai.

KALLXO.com ka raportuar sot gjatë ditës për vërshimet dhe dëmet si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe borës që kanë mbizotëruar në vend.