LVV kthehet në Kuvend për seancën e rregullt

Pak minuta para fillimit të seancës së rregullt të Kuvendit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë kthyer në sallë.

Paraprakisht Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të PDK-së, për rezolutën për mbështetje financiare të Policisë së Kosovës, në të cilën deputetët e LVV-së nuk morën pjesë.

Prezentë kanë qenë vetëm 28 deputetë.

Deputetët opozitarë e kritikuan mungesën e pushtetit në atë seancë, duke kërkuar unifikim për një çështje si ajo e Policisë së Kosovës.

Kuvendi pa kuorum për votimin e Rezolutës për Policinë, në sallë vetëm 28 deputetë

Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës, e pyetjeve parlamentare, në rend të ditës në seancë të rregullt janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Tash e sa kohë, ekzekutivi ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën pro për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh mbi 300 milionë euro që po presin votimin dhe shqyrtimin nga ligjvënësit kosovarë.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votimi është kushtëzuar me shpallje të zgjedhjeve të reja dhe shpërbërje të Kuvendit. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do mbështesë marrëveshjet, përveç njërës -Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare