Ilustrim

Kuvendi pa kuorum për votimin e Rezolutës për Policinë, në sallë vetëm 28 deputetë

Rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga PDK nuk është hedhur në votim për shkak të numrit të vogël të deputetëve të pranishëm në sallë.

Prezent kanë qenë vetëm 28 deputetë.

“Nuk kemi kuorum me hedh në votim këtë rezolutë. Vetëm 28 deputetët janë të pranishëm në sallë. Shtyhet votimi për një seancë tjetër”- ka konstatuar nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Në sallë të pranishëm ishin deputetët e opozitës por jo edhe ata të pozitës, LVV.

Përmes rezolutës, PDK me mbështetje edhe nga opozita po kërkon nga Qeveria që të bëj ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga PDK-ja:

  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërise per Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyre retroaktive nga dita e hyrjes ne fuqi të Ligit 08/L-196 per Pagat në Sektorin Publik (për secilin muai).
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozojë buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë te Republikës se Kosovës, nga data 1 janar 2024.
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtarëve policorë të Policisë se Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit.
  • ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë te përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.