Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV: Hetuesit duhet ta kenë eprorë prokurorin dhe kryeprokurorin e jo drejtorin e Policisë

Kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes Doarsa Kica tha se kontrolli politik mbi policinë është problem për shkak se Prokuroria e Përgjithshme apo Speciale gjatë hetimeve varet nga hetuesit policorë.

“Është ajo që pastaj po shkakton përçarje që nuk quhet përçarje, por po e ngec procesin sepse nuk i kanë hetuesit  e vet”, tha Kica.

Sipas saj, duhet të shtohen mekanizmat në aspektin e kapacitetit, duke shtuar numrin e hetuesve në kuadër të Prokurorisë.

“Duhet të shtohen në mënyrë që ata ta kenë vet eprorë prokurorin dhe kryeprokurorin dhe nuk ka nevojë të iu përgjigjen drejtorit të Policisë”, tha Kici në DebatPernime me Jeta Xharrën.

Sipas saj me këtë ndërthurje të hetuesve do të zgjidhej ky problem”, tha Kici.

Kici tha se shtimin e hetuesve brenda Prokurorisë do ta bëjnë brenda mandatit.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.