Prezantimi i Raportit të Dezinformimit “Vorbulla e rrenave” - FOTO: Naser Fejza - KALLXO

Dezinformatat janë pengesë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN ka prezantuar sot Raportin e Dezinformimit, “Vorbulla e rrenave”, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.

Jeta Xharra, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN në fjalën hyrëse tha se në, këtë raport është bërë një hartë e formave të ndryshme të dezinformimit në Kosovë.

Sipas Xharrës, këto dezinformime që vijnë me qëllim dashakeqës, kanë për qëllim të ndryshojnë kahjen e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

“Në ketë raport kemi bërë një hartë të formave të ndryshme të dezinformimit në Kosovë, keqinformimit, propagandës e narrativave që i ndodhin Kosovës prej faktorëve të brendshëm edhe të jashtëm. Shpesh këto dezinformime vijnë me qëllim dashakeqës që kanë qëllim me ndryshu kahjen e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, e në anën tjetër kanë qëllim me rritë tensione brenda komuniteteve dhe grupeve të ndryshme në anën tjetër. 345 fusnota të këtij raporti identifikojnë kush janë rrjetet, media sociale, njerëzit që shpërndajnë rrena të pavërteta apo dezinformata në Kosovë” – theksoi Xharra.

“345 fusnota të këtij raporti identifikojnë kush janë rrjetet, media sociale, njerëzit që shpërndajnë rrena të pavërteta apo dezinformata në Kosovë”- shtoi ajo.

Kurse, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog në prezantimin e këtij raporti tha se rreziku i dezinformatave është bërë më i qartë pas luftës në Ukrainë, teksa shtoi se raporti tregon se ka pasur një ndikim i cili prek integrimin e Kosovës në BE-së.

“Deziformatat, lajmet e rreme dhe propaganda kanë qenë të pranishme gjatë historisë në tërë botën por rreziku është bërë më i qartë pas luftës në Ukrainë. Raporti tregon se kemi pasur një ndikim i cili prek integrimin e Kosovës në BE-së, duke nxitur qytetearët kundër një procesi të tillë kur e dijmë që qytetarët në Kosovë, mbi 95% të tyre janë pro integrimit të Kosovës në BE. Në këtë raport mund të shihni se ndikimi ka efekte në çdo pore të jetës si në shëndetësi e arsim. Siç rekomandohet nga raporti, duhet të themelohet një strategji dhe një në bashkëpunim në mes qeverisë, shoqërisë civile e mediave” – deklaroi Szunyog.

Jasna Jeseliq, shefe e Task-Forcës për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian të jashtëm u shpreh se të gjithë mund të manipulohen nga lajmet e rreme, por sipas saj, është e nevojshme që të mbyllen ata që shpërndajnë lajme të rreme.

“Gjithçka që kemi parë në periudhat e mëhershme është më ndryshe se kjo e sotmja, kjo është një sfidë globale. Problemi është që në disa vende kjo shihet si problemi komunikimit sipas meje ky është një problem i sigurisë dhe kërkon angazhimin e qeverive dhe shoqërisë civile në mënyrë që të ndërtohet një lloj mbrojtje psikologjike. Të gjithë mund të manipulohen nga lajmet e rreme, ajo çfarë është e nevojshme është që të mbyllim ata që shpërndajnë lajme të rreme”- tha Jeseliq.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, ‘“Vorbulla e rrenave”.

BIRN prezanton Raportin e Dezinformimit “Vorbulla e rrenave” – LIVE