Me bombat mbi kokë ukrainasit e mësojnë madje edhe gjuhën e armikut

Si po mbahet shkolla e si po bëhet muzikë e aktivizëm në një ‘normalitet’ të ri në Ukrainë ku njerëzit po adaptohen të bëjnë gjumin copa-copa qe dy vite për shkak të sulmeve prej raketave dhe dronave rus.

– Më 10 dhe 11 nëntor sivjet u ftova të marrë pjesë në Kiev ku mbahej Forumi Mediatik i Donbasit (DMF), forum që kishte filluar së organizuari qysh në 2015-ën, një vit pasi Rusia kishte sulmuar herën e parë Ukrainën në 2014-ën, duke futur nën kontroll një pjesë të territorit të Donbasit dhe Luhanskut që përbënin përafërsisht 1/10 e territorit të Ukrainës.

Herën e parë që më kishin ftuar në 2017-ën ky Forum ishte mbajtur në lindje të Ukrainës, në Sviatohirsk, qytet që u okupua nga rusët në maj 2022 por u çlirua në vjeshtën e po atij viti.

Gazetarët e Ukrainës lindore që jetonin në rajon që ishte nën presionin më të madh të propagandës ruse kishin vendosur të organizoheshin për të shkëmbyer përvoja dhe të përkrahnin njëri tjetrin në një luftën informative që kërkonte mobilizim kundër dezinformimit.

Jeta Xharra duke folur më 10 nëntor 2023 në Forumin e Mediave të Donbasit në Kiev

Mua më kishin ftuar për të ndarë përvojën e një gazetari lokal që kishte mbuluar luftën në Kosovë në 1998 dhe 1999. Kosova kishte përvojë për të ndarë. Kishim punë të mira që i kishim bërë, duke i mobilizuar mediat ndërkombëtare në mbulimin e drejtë të luftës, mobilizim i opinionit ndërkombëtar që solli bombardimet e NATO-s. Por, mund të flisja edhe për atë që kishim dështuar ta bëjmë, që t’i dokumentojmë krimet e luftës me saktësi të tillë që do të mund t’i përndjeknim më vonë me drejtësi jo vetëm ndërkombëtare, por edhe lokale.

Pjesëmarrësit e Forumit të Mediave të Donbasit në Kiev që u mbajt 10-11 nëntor 2023

Shënimet e dobishme të përvojës së Kosovës për Ukrainën

Në 2017 unë e ndava rrëfimin tim me gazetarët ukrainas se kur unë fillova të punojë në luftën në Kosovë isha 20 vjeçe dhe na u dashtë të përjetojmë shok mental kur si gazetarë të rinj, pa bërë kurrë gazetari të çfarëdo zhanri, na u dashtë të ballafaqohemi me trupa të vrarë të fëmijëve, njerëz të djegur nëpër shtëpi, dhunime, refugjatë, dhe shpesh me ballafaqim me forca të armikut nëse hasnim në ta gjatë punës në terren.

Që atëherë, në 2017, biseda që zhvillonim me gazetarë të Ukrainës lindore në DMF qonte në drejtimin që të gjithë atje prisnin që lufta në Ukrainë nuk ka përfunduar dhe merrnin shënime sepse ishin të sigurt që një lloj invazioni rus i dytë në Ukrainë do të ndodhte. Nëse e keqja ka me ndodh dosido, sigurohuni që kjo do të ndodh e xhiruar, e dokumentuar dhe e arkivuar – ishte mësimi që unë e përcjellja sepse ishte saktë porosia që ma kishin dhënë mua gazetarët e huaj të cilit vinin në Kosovë në 1998 pasi që i kishin mbuluar luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë në fillim të 90-tave.

Tash, kur u riftova të marrë pjesë përsëri në këtë forum, në nëntor 2023, ishte e qartë që sundimi i gjerë rus në Ukrainë ishte lufta më e filmuar, me krimet e luftës më të dokumentuara në historinë e luftërave të njerëzimit. Njëkohësisht, me gati 9000 gazetarë të akredituar, ishte lufta mediatikisht më e mbuluara ndonjëherë.

Alarmi për sulme ajrore – Ukrainë

Këtë herë, forumi po ndodhte në Kyiv, ishte tërhequr nga lindja ku planifikohen të kthehen në 2024. Vetëm 1 orë e gjysëm pasi forumi filloi, më 10 nëntor, u ndez alarmi për sulmin potencial raketor që po vinte nga Rusia mbi qiellin e Kyiv. U raportua që një raketë Iskander u godit nga forcat ajrore derisa po kalonte në periferi të Kyiv-it atë mëngjes.

Me të dëgjuar alarmin, rreth 600 pjesëmarrës të forumit pa kurrfarë shqetësimi filluan të drejtohen në strehimore që dikur kishte qenë parking nëntokësor. Në këtë strehimore pash se si u zhvilluan 5 punëtori të ndryshme nëpër kënde të parkingut dhe se si ukrainasit ishin mësuar të fokusohen e vazhdojnë punën e tyre serioze pa marrë parasysh se raketat ruse mund të kalonin mbi kokat e tyre çdo moment.

Pjesëmarrësit e Forumit të Mediave të Donbasit duke hyrë në strehimore pas alarmit për sulme ajrore më 10 tetor 2023

Në fytyrat e tyre vërehej që këta janë popull që gjumin nuk janë duke e bërë rehat tash e dy vite, sepse alarmi për të shkuar në strehimore shpesh ndizet në mes të natës. Por, nëse shëtit në rrugë të Kyiv-it dhe e vështron jetën në kryeqytet, mund edhe të mashtrohesh. Nuk vie erë luftë në qytetet kozmopolitane të Ukrainës. Jeta normale vazhdon. Kafet, rrugët, dyqanet e restoranet janë plot me njerëz. Nuk çuditem. Njëjtë ishte në Prishtinë në 1998 dhe 1999, kur zhvillohej luftë në katunde të Kosovës. Kjo tash më duket normale, edhepse atëherë, në vendin tim, më pengonte.

Përnjëherë, afrohesh në sheshin kryesor Maidan të njohur për protestat pro-europiane që filluan në vjeshtën e 2013, dhe ajo që nga larg duket bar i pakositur, tash nga afër shihet që është tokë e mbuluar me mijëra flamuj të vegjël ukrainas e fotografi që shënojnë ushtarë e civilë të vrarë që nga fillimet e invazionit të fundit.

Gati 15,000 njerëz llogaritet të jenë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, 37 prej të cilëve janë gazetarë. Fytyrat dhe historitë e këtyre gazetarëve të ndjerë janë në panelet e sallës kryesore ku mbahet ky forum. Disa prej tyre kishin qenë mysafirë në forumet e tyre të mëparshme. Duke i lexuar historitë e gazetarëve të vrarë, m`u kujtua që kanë kaluar 25-30 vite që kishin filluar luftërat në ish-Jugosllavi, dhe ne në asnjë shtet të ish-Jugosllavisë nuk e kishim një vend ku mund të lexoje historitë e gazetarëve të vrarë në luftërat tona. Tipike, si rrobaqepësi që rri me rroba të shqyera, edhe gazetarët nuk janë mësuar të shënojnë historinë e njerëzve të zanatit të vet.

Më pëlqeu që ukrainasit po fillojnë me ndërru këtë ves. Përveç kësaj, ata e kanë një të mirë tjetër. Ata janë treguar shumë më të t`fillueshëm në dokumentimin e krimeve të luftës. Prokurorët e tyre nuk po ankohen që i kanë rrogat e vogla, që s’kanë bashkëpunëtorë, truproje, makina e rrymë, por po dalin menjëherë nëpër terrene të vështira për të mbledhur dëshmi. Nuk po e bëjnë atë që po na ndodh neve, që po presim me kalu 25 vite e dalëngadalë po na vdesin dëshmitarët e shumë masakrave, para se që të marrim mundin t’i mbledhim formalisht dëshmitë e tyre.

Ata janë të t’fillueshëm edhe për t’i ekspozuar fitoret e deritanishme.

Para Ministrisë së Punëve të Jashtme në sheshin Shën Mihail e kanë hapur një ekspozitë të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Historisë Ushtarake të Ukrainës ku i kanë ekspozuar tanket, raketat e mjetet tjera ushtarake që i kanë lënë pas rusët në zonat ku janë mposhtur nga Ushtria e Ukrainës, ushtri kjo nga e cila askush s’kishte pritur që do të mund t’i rezistonte Rusisë që posedonte njërën prej ushtrive më të organizuara, më të mëdha e më të lashta në botë.

Trofetë ushtarake të Ukrainës, mjetet ushtarake ruse të lëna prapa pasi që Ushtria Ukrainase i çliron territoret e okupuara, të ekspozuara në sheshin Shën Mihail në qendër të Kiev

E në Kosovë, në Muzeun Kombëtar, mezi shihet prej territ një xhaketë e William Walkerit e cila, 23 vjet pas lufte, hala s’e ka pranë saj as një tabelë që spjegon se si u vranë qytetarët e Reçakut kur Walkeri u bë dëshmitar i asaj masakre. Jo që nuk mund të gjesh legjendën e njerëzve të vrarë në masakër, numrin e tyre, dhe mënyrën e vrasjes, por s’mund të lexosh as historikun e atij njeriu që e kishte veshur atë xhaketë dhe pse u bë ai aq i rëndësishëm për historinë e Kosovës.

Pasi isha ftuar të diskutoj për rastet kur kemi mundur të dokumentojmë krimet e luftës, unë fola për përpjekjet që ju deshtë ekipit tonë për ta bindur një paramilitar serb, Zoran Rashkoviq, të flasë haptas për krimet makabre që kishin kryer grupi i tij vrasës “Çakejt” në Zahaq e Qyshk, ku i kishin vrarë qindra shqiptarë. Derisa po flisja Nataliya Gymenyuk, gazetarja ukrainase më shikonte drejt në sy dhe mezi priti fundin e diskutimit të më thotë në vesh “neve do të na duhen vetëm dy vjet derisa rusët të pranojnë çka kanë bërë, jo 15!”.

Ambicia dhe vetëbesimi i ukrainasve ma ngroh zemrën sepse është sëmundje ngjitëse.

Ata jo vetëm që e vizualizojnë fitoren e tyre ndaj Rusisë herë do kur, por janë duke punuar gjatë luftës për t’i mbledhur faktet me krejt metodat e mundshme në dispozicion, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale. Madje llogarisin që shumë rus do të dëshmojnë sepse janë duke u mobilizuar me zor e duke u dërguar larg shtëpisë për të luftuar në Ukrainë.

Ymyti i tyre që kriminelët do jua përndjek bashkësia ndërkombëtare është minimal. Ata tregohen kryesisht të kënaqur me ndihmën ushtarake që po jua jep perëndimi dhe mendojnë që për pjesën tjetër janë përgjegjës vet, pa marrë parasysh që janë shtet shumë më i vogël se Rusia.

Nataliya Gumenyuk - themeluese e 'The Reckoning Project'
Nataliya Gumenyuk – themeluese e ‘The Reckoning Project’

Pas diskutimit tonë, Nataliya Gymenyuk, që udhëheq “Projektin për Ditën e Llogarisë” (The Reckoning Project) e shfaq filmin e saj dokumentar “Spitali që u Mor Peng” që rrëfen se si spitali në Snihurivka, qytetin e okupuar ukrainas, mbijetoi 9 muaj gjatë vitit 2022, i rrethuar nga forcat ruse. Stafi që kishte mbetur në spital ishin të gjitha gra, dhe këto mjeke e negociuan qëndrimin e tyre dhe përkujdesjen ndaj pacientëve duke trajtuar qytetarë të plagosur, ushtarët ukrainas por edhe forcat okupuese ruse.

Njëra prej mjekeve të intervistuara në film, Hanna Tkachuk ishte një prej dentisteve të vetme që kishte mbetur në rajonin e okupuar.

“Kur e pash që duan të na përzënë, i ofrova ushtarëve rus që t’ju ndreqi dhëmbët me kusht që të na lënë të kujdesemi për pacientë dhe të plagosur që i kishim në spital. Ata më thanë, ‘deri tash mjekët ukrainas na kanë trajtuar vetëm nëse kemi qenë të plagosur”- thotë Tkachuk.

Në fillim ushtarët rus e kishin kërcënuar stafin e spitalit që do i vrisnin. Me një moment tjetër, pasi Tkachuk e kishte shëruar një ushtar rus prej dhimbjes së tmerrshme të dhëmbit ai i kishte thënë “E si me të vra tash kur më shpëtove?”.

Pas një reflektimi të shkurtër gjatë filmit, Tkachuk thotë, “ndoshta kjo ndodhi për shkak se gjithkush ja ka frikën dentistit? Seriozisht, kështu më dukej mua!”.

Hanna Tkachuk, dentiste në Snihurivka – Ukrainë

Negociatat e kompromiset të tilla kishin arritur që lufta në Ukrainë të mos rezultonte me viktima të nivelit të tillë çfarë po shohim në Gaza.

Rezultat i kompromisit ishte edhe jeta e Jevgen Shybalov, një ushtari ukrainas nga Luhansku i cili ishte liruar pas 8 muajve në burg pasi që ishte zënë peng duke luftuar jo shumë larg qytetit Bakhmut. Shybalov kishte qenë gazetar para lufte.

“Kam ardh në forum t’i takojë miqtë gazetarë me të cilët kam punuar pak para se të paraqitem vullnetar në ushtri”- tha Shybalov.

Shybalov shpjegoi se prej diku 100 vetave të njësisë së tij, 30 u vranë në luftime e 70 u burgosën. Pas 8 muajve në burg ata u liruan si rezultat i marrëveshjes së Krishtlindjeve që ishte arritur në fund të 2022 për shkëmbimin e të burgosurve mes Rusisë e Ukrainës.

Edhepse i lirë që nga janari 2023 ai lirinë e tij e kishte shfrytëzuar duke u kthyer në ushtri. E pyes se pse i duhet një ish të burgosuri të kthehet në luftë kur ka plot djem tjerë në Ukrainë që s’kanë qenë në burg dhe është radha e tyre ta zëvendësojnë.

“Nuk më ka shkuar mendja të kërkojë ‘lirim’ nga ushtria. Përveç kësaj, kanë nevojë për mua, sidomos për njerëz që flasin anglisht si unë sepse i gjithë armatimi që na vjen nga jashtë ka instruksione anglisht dhe dikush duhet t’i lexojë ato e të sigurohemi që s’po e përdorim gabimisht këtë armatim”- tha Shybalov për Kallxo mes sesioneve të forumit.

Pasi që ishte kthyer nga burgu, Ushtria e kishte trajnuar Shubalovin për të shërbyer si pilot i dronave.

Yevhen Shybalov, ushtar dhe ish i burgosur ukrainas
Yevhen Shybalov, ushtar dhe ish i burgosur ukrainas

Udhëtimi nga Prishtina për në Odesa

Mënyra më e zakontë për të shkuar deri në Kyiv nga Prishtina është të fluturosh në Poloni dhe pastaj ta kalosh kufirin Poloni-Ukrainë në këmbë. Këtë bëra edhe unë për t’i ikur kolonave të gjata të makinave të cilat do duhej të përjetoheshin nëse zgjedhje të udhëtoje pandërprerë me autobus, për shkak se kufiri në Medyka-Shehini është më i ngarkuari në Europë që prej se fluturimet për Kiev kanë ndaluar komplet me fillimin e luftës, për shkak se aeroplanët mund të qëllohen nga Rusia.

Por, për të shkuar në Odesa, në qytetin e tretë më të madh në Ukrainë, në portin e saj jetik jugor, për ne nga Prishtina më së shpejti i bije të shkojmë me makinë sepse distanca është e ngjashme si mes Kosovës e Gjermanisë.

Rrugëtimi nga Prishtina për në Ukrainë

Në shtator të këtij viti, me të parë sa shumë bashkëvendas të mi vozisin pa problem ka 16 orë çdo verë nga Gjermania në Kosovë, edhe unë vendosa ta marr një udhëtim të tillë por në një drejtim tjetër, në Ukrainë. Pasi kalova Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Romaninë dhe Moldavinë, arrita në Odesë.

Odesa, është porti më i madh i Ukrainës dhe qytet kozmopolitan i ndërtuar nga të huajt. Jo shumë larg Odesës jetojnë shqiptarët ortodoks, më saktësisht në fshatin Karakurt të cilin ekipi jonë e kishte vizituar në 2015.

Unë në Odesë shkova duke u ndalur së pari në Kishinau, në kryeqytetin e Moldavisë ku isha e ftuar të përcjellë programin e “Political Tours” që e udhëhiqte miku im Nick Wood, ish gazetar i BBC-së që tash ishte shndërruar në guidë dhe po organizonte turne për turistë që janë të interesuar t’i vizitojnë vendet krejtësisht jo-turistike dhe pak të rrezikshme.

Me të arritur në Odesë më 6 shtator, kuptova që tash dy muaj, raketat ruse vazhdimisht po e sulmojnë bregdetin ukrainas duke tentuar ta pengojnë eksportin e drithërave që është bazamenti i ekonomisë së Ukrainës. Por, të vëmendshëm siç janë, ukrainasit kanë gjetur forma tjera për të eksportuar, prej porteve tjera më të vogla, jo porteve detare por porteve të lumenjve prej rrethinës së Ismailit, qyteti më i afërt për komunitetin shqiptarë të shpërngulur këtu para disa shekujve.

Për mua ishte krejtësisht e pamundur ta vizitoj pjesën fizike të portit të Odesës për shkak se ishte nën mbikëqyrje strikte të Ushtrisë së Ukrainës që ia kishte ndaluar qytetarëve jo vetëm shëtitjen rreth portit për shkak të invazionit të mundshëm nga anijet ruse, por kishte ndaluar çfarëdo lloj xhirimi të portit për të mos lejuar Rusinë të marr informata që do i përdorte nga filmimet e publikuara. Por, pjesën tjetër të qytetit ku jeta vazhdonte pa kufizime, mund ta vizitoja edhe unë si krejt qytetarët odesian.

Nxënësit në Shkollën ‘Andrra’ – Ukrainë

Mikpritjen zemërgjerë e gjeta te shkolla fillore dhe e mesme “Andrra” që ato ditë kishte filluar vitin shkollor.

‘Andrra’ s’do të mund të funksiononte po që se drejtori i kësaj shkolle me gjithë stafin e tij të mos mobilizohej të krijonte strehimoren ku, në rast të bombardimeve, nxënësit do të mund të strehohen.

Që nga fillimi i luftës, ushtria ruse i ka bombarduar mbi 50 shkolla. Më shumë se 500 fëmijë kanë vdekur në këtë luftë. Sipas Save the Children, organizatës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, mesatarisht një fëmijë në ditë vritet në Ukrainë nga sulmet e Rusisë.

Për ta ul këtë numër të vrasjeve të fëmijëve, autoritetet ukrainase kanë vendosur të ndalojnë hapjen e çfarëdo shkolle në shtator, përveç nëse shkolla ka bërë vet strehimore.

Nxënësit duke u futur në sterhimore në Shkollën ‘Andrra’ – Ukrainë

Nëse shkolla s’ka strehimore, fëmijët mësojnë vetëm online. Pra, shumë shkolla në Ukrainë janë duke funksionuar si në kohë të COVID-it sepse janë cak i Rusisë.

“Emri im është Vovan. Unë i kam 8 vjet. Nuk jam rehat me mbajt mësim në strehimore, por po duhet me duru. Mesazhi im për fëmijët tjerë në botë është që shpresoj që ju s’keni me pas këtë që kemi ne. Shpresoj që bile juve, si neve, s’ju ndodh lufta”- tha Vovan.

Volodymmyr Nemerstalov, drejtor i Shkollës ‘Andrra’ – Ukrainë

Volodymyr Nemertsalov është drejtori i shkollës, i cili po ja mundëson jo vetëm shkollës së vet, por edhe disa shkollave të tjera përreth të përdorin strehimoren e tij të cilën e ka rinovuar dhe zgjeruar gjatë verës.

Ai tha se ishte krenar që kishte pajisur shkollën me gjenerator. Gjatë dimrit të tmerrshëm të kaluar kur Rusia i goditi termoelektranat e energjisë në Ukrainë dhe ukrainasit jetonin me restrikcione të rrymës, Nemertsalov bëri të mundur që fqinjët të vinin të mbushnin baterinë e celularëve të tyre nga gjeneratori i shkollës.

Nemertsalovit i ndihmon edhe Natalia Boyko, administratorja e shkollës e cila përkundër faktit që i ka 72 vjet, nuk mendon që është për pensionim. Në Ukrainë s’kanë kohë me u plak.

“Tani jemi në strehimore, e cila në të kaluarën ka qenë dhomë për sistemin e ngrohjes. Kur dëgjojmë alarmin duhet të gjithë të shkojmë në strehimore. Arsimi është i rëndësishëm, fëmijët tanë duhet të studiojnë. Shpesh më duket qesharake se si ne jua mësojmë fëmijëve këtu lëndën e gjuhës ruse derisa raketat e Rusisë të na kalojnë mbi kokë. Kjo ngase disa prindër duan që fëmijët e tyre të mësojnë rusisht”- thotë Nemertsalov për Kallxo.

Odesa kishte qenë qytet ku 70% e popullatës ishte ruso-folëse para luftës. Këtë po mundohen ta ndryshojnë sidomos rinia e Ukrainës që janë të mllefosur në Rusinë.

Natalia Dovbysh, që ishte operatorja e kamerës që më ndihmoi ta xhiroj emisionin #KallxoPernime në Odesa dhe e cila po punon për median e pavarur INTENT, që është organizata partnere e BIRN-it në Ukrainë, më tregoi se, sikurse 70% e popullatës së Odesës, edhe ajo kishte folur rusisht para lufte. Kur filloi lufta, ajo kishte bërë pakt me veten që prej tash do të fliste vetëm gjuhën ukrainase. Këtë vendim e kishin marrë edhe gjithë rrethi i saj.

“Shokët më thoshin se ëndrrat ende s’po mrrijmë t’i shohin në gjuhën ukrainase. Unë ju thosha se pas një kohe, kur e trajnon mendjen, do të përjetoni atë që po më ndodh mua, asnjë ëndërr s’po e shoh më rusisht”- thotë Dovbysh.

Harta e Mbrojtes Ajrore të Ukrainës nga sulmet raketore mbi Odesa më 7 shtator 2023

Si bëhet gjumi nën sulme ajrore!?

Pas xhirimit në nëntokën e Ukrainës në strehimore, dalim mbi tokë ku shpejt bie terri. Ndoshta prapë do na duhet të futemi nën tokë nëse fillon alarmi i sulmeve raketore. Për momentin, deri në mesnatë, të gjithë duhet të jemi jashtë rrugëve sepse ora policore fillon.

Për ta kaluar natën në Ukrainë bën mirë të instalosh aplikacion me emrin ‘Alert’, ku gjithë qytetarët njoftohen se ku është strehimorja më e afërt, në rast nevoje. Sa i mbyll sytë, pas orës 1 të natës, dëgjoj alarmin që mes kllapisë më duket vetja thuajse jam në filmin Star Wars. Kjo ngase aplikacioni i telefonit po alarmon me zërin e aktorit nga Star Wars të cilin autoritetet e Ukrainës e kanë angazhuar për t’ju fol popullatës që ta marrin seriozisht sulmin ajror. Me disa fjalë, alarmi thotë “mos u lazdro por çu kadal-dale me shku në strehimore”- këtë e bën me gjuhën e luftës së yjeve kuptohet që është “Mos u bë i pakujdesshëm. Vetëbesimi yt i tepruar është dobësi. Forca qoftë me ty!”. Ku ka forcë pa gjumë, e pyes veten derisa më kujtohen ato format që i përdorin torturuesit ndaj të burgosurve duke mos i lënë të flenë nëse dojnë t’ua nxjerrin ndonjë deklaratë. Me këto mendime, shkoj shkallëve teposhtë në strehimore bashkë me të tjerët dhe aty gjej njerëz që sillen sikur të kenë shkuar me bujt te miqtë: dëgjojnë muzikë, luajnë letra e kuvendojnë.

Botën e ukrainasve nuk mund ta kuptosh pa qenë në Telegram (ngjashëm si Viber e Whatsapp) që ironikisht është aplikacioni i rrjetit social i themeluar nga rusët dhe më i popullarizuari në Rusi. Aplikacioni Alert të drejton që nëse do të marrësh informata më të hollësishme për lëvizjen e aeroplanëve, raketave dhe dronëve rusë duhet t’i bashkangjitësh kanalit të rajonit tënd që e mban Mbrojtja Ajrore e Ukrainës.

Unë i bashkangjitem kanalit të qytetarëve të rajonit të Odesës. Më duhet të bëjë fiskultura mentale që në mes të natës të lexojë porositë në alfabetin cirilik që vijnë nga forcat ajrore të Ukrainës. Nëse din serbisht, disa fjalë ruse e ukrainase automatikisht kanë kuptim. Informata e fundit për qytetarë në këtë kanal vjen në ora 03:20 në mëngjes që thotë se tash është sigurt të dalësh prej strehimores.

Atë që të mësojnë ukrainasit është që është me rëndësi të flesh gjithmonë, kurdo që të ipet rasti, sepse pas 2 viteve nën alarm të vazhdueshëm të sulmeve nga ajri, mund edhe ‘të çmendesh’ po qe se nuk e vjedh gjumin kudo që mund ta nxësh.

Pas një nate në Odesa që ishte hera e parë e imja në Ukrainë gjatë luftës, e kuptova që mënyra se si e mbijetojnë qytetarët luftën me kaq sportivitet është për shkak se kanë informata shumë të mira, shumë të sakta dhe aspak të egzagjeruara lidhur me atë se KUR dhe ÇKA po ndodh?

Këto informata i marrin nga Mbrojtja Ajroje e Ukrainës në të cilën qytetarët bëjnë be. Besimi në Mbrojtjen Ajrore është më i madh se në politikanë të cilët ende i shohin si ngapak të korruptuar.

Edhe në muzikë ka politikë

Në strehimoren e hotelit “Premier Geneva Hotel” në Odesa i takoj “SPIV BRATIV”, apo Vëllezërit Këndues, bend i pop muzikës që po mban koncerte anembanë Ukrainës, e edhe në frontin e Luftës për t’ia ngrit moralin ushtarëve. Kur i kërkoj në internet e shoh që mbi 7 milionë klikime janë realizuar për këngën e tyre “Maskva” ku tallen me Rusinë.

Grupi Spiv Brativ në Odesa, Ukrainë

Katër vëllezërit që e përbëjnë bendin “Spiv Brativ” shpjegojnë se i kanë caktuar vetes detyrë që me pop muzikën e tyre autoktone ukrainase, do t’i ofrojnë alternativë konsumimit të pop-muzikës ruse që ishte dëgjuar me të madhe në Ukrainë para invazionit rus në fillim të 2022.

“Puna është se nëse dëgjon muzikë ruse (si qytetar ukrainas), je duke paguar për këto raketa që po bien mbi ne. Prej muzikës paguhen taksa që shkojnë në Rusi dhe me këto ata bëjnë raketa kundër nesh. Shumë njerëz e kuptojnë këtë situatë por disa tinejxherë jo, kjo është edhe arsyeja që mund t’i gjesh ende disa prej tyre duke dëgjuar muzikë ruse”- tha Dmytro Osychniuk nga “SPIV BRATIV” për Kallxo.

Jo vetëm muzika por edhe shoqëria civile e cila deri vonë ishte marrë me luftën kundër korrupsionit, tash ishte e mobilizuar të punojë në dokumentimin e krimeve të luftës.

Natalia Dovbysh, punon me organizatën Komiteti i Votuesve të Ukrainës (KVU) dega Odesa e cila e mban platformën mediatike INTENT të cilët deri para dy viteve janë marrë me monitorim të zgjedhjeve, monitorim të buxheteve komunale, luftë kundër korrupsionit dhe udhëheqjen e Qendrës për Hulumtime Publike.

Media ku punon ajo është rajonale dhe e mbulon gjithë rajonin e jugut të Ukrainës, duke përfshirë komunat (të ashtuquajtura oblast) të Odesës, Mykolaiv dhe Kherson.

Natalia Dovbysh – Gazetare dhe Kameramane në INTENT – Odesa, Ukrainë

Ajo më fton ta shohim shkatërrimin që kishte ndodhur në supermarketin e Odesës “Fozzi” i cili ishte bombarduar gjatë verës, ngjarje të cilën ajo e kishte mbuluar si kameramane.

“Unë jetoj këtu afër dhe i dëgjova kur raketat u drejtuan për këtu”- tha Dovbysh e cila vinte nga qyteti i Mykolaiv që ishte në lindje dhe kishte përjetuar shkatërrim më të madh nga sulmet ruse.

“Tash së voni shkova te familja ime në Mykolaiv. Qyteti është ringjallur si feniks! Para dy muajve kur e kam vizituar s’kishte energji elektrike dhe shumë prej tyre e braktisën vendin. Tash ishte gjallëruar”- thotë Dovbysh.

Kur e pyes se a e dinte që Kosova kishte program për t’i bërë konak gazetarëve të Ukrainës, tregon pse kurrë s’do ta konsideronte këtë si opsion.

“Nuk më shkon mendja ta braktisë vendin tim. Në fakt, si operatore e kamerës unë di mirë ta përdori dronin për të xhiruar, e vendi im dhe ushtria jonë ka nevojë për operatorë dronash – nëse vjen puna që kanë nevojë për mua, më parë do i bashkohesha ushtrisë se të ikja prej Ukrainës”- tha Natalia Dovbysh, gazetare dhe kameramane.

A mund të luftohet korrupsioni gjatë luftës?

Dovbysh tregon që shumë prej storieve të medias INTENT vazhdojnë të merren me korrupsion sepse korrupsioni po vazhdon edhe gjatë luftës.

Ajo tregoi se Gennadi Trukhanov, kryetari i komunës së Odesës ka qenë në paraburgim sivjet e pastaj e kanë liruar për të vazhduar gjykimin në liri. Kjo për shkak se akuzohet të ketë vjedhur paret publike të qytetit të Odesës. Në 2018 doli në shesh që Trukhanov kishte regjistruar banesa luksoze në Londër në emër të vajzës së tij.  Pra, jo krejt lidershipi i Ukrainës është i fokusuar me shiku si të fitohet lufta. Disa janë të interesuar të vazhdojnë të fitojnë para.

“Ai ishte shumë njeri interesant, ai ishte në anën ruse në fillim të luftës. Pesë ditët e para (të luftës), nuk e shihnim, thoshim ‘ku mbet kryetari i komunës?’ Ishte zhdukur. Qyteti, shteti jonë ishte duke u sulmuar, ne duhej të kishim këtu qeverinë për të na siguruar që s’do të dorëzohemi dhe do të fitojmë e jo të zhduket njeriu nga faqja e dheut! Pas 4-5 ditëve ai u paraqit sikur asgjë të mos kishte ndodhur, me tesha ushtarake duke thënë që mos të brengosemi se ai “është me ne”. Tash ai po tenton me fol në gjuhën ukrainase dhe po sillet si ushtarak, por shihet ashiqare që nuk e ka përnime, duket fals”- tha Dovbysh.

Valeri Bolgan, kryeredaktor në INTENT
Valeri Bolgan, kryeredaktor në INTENT – Ukrainë

Valeri Bolgan, kryeredaktor në INTENT, shpjegon se përderisa fokusi i platformës së tij mediatike kishte qenë lufta kundër korrupsionit, ata secilën herë e më shumë po i raportojnë krimet e luftës dhe dëmin që po vazhdon ta shkaktojë propaganda ruse në këtë luftë.

Organizata e tij kishte publikuar literaturë për kurikulë shkollore që adreson dezinformimin që vie në Ukrainë nga Rusia por edhe nga Transnistria, që është zona pro-ruse shkëputur nga Moldavia, në kufi me Ukrainën. Ai kishte qenë pjesë e grupeve të organizatave civile që nuk e kishin pritur kryetarin e komunës por vet kishin organizuar iniciativë qytetare që do i largonte simbolet ruse nga Odesa kur raketat ruse filluan ta sulmojnë qytetin.

Statuja e Katarinës së Madhe, perandoreshës së Rusisë, ishte larguar nga qendra e qytetit dhe kishte nxënë vend me një depo të muzeut të qytetit. Edhe statuja e poetit rus Pushkin në kryeqytet ishte mbuluar komplet dhe rreth saj ishin vendosur thasët e një barrikade ushtarake.

“Shumë njerëz i besuan propagandës ruse deri rishtazi, por tani mendoj se njerëzit po zgjohen nga gjumit rus, nga ëndrrat ruse dhe kanë filluar me të madhe ta flasin gjuhen ukrainase. Nëse më parë ishte 20-30% ukrainas, tani është gjysma e popullit në Odesa flasin gjuhen ukrainase. Ata nuk dëgjojnë më muzikë ruse, ata nuk shikojnë TV ruse, sepse njerëzit e kuptojnë se kjo ishte një nga arsyet pse Rusa sulmoi Ukrainën”- tha Valeri Bolgan, kryeredaktor në INTENT.

Emisioni për Odesën u transmetua në Kallxo.com më 12 nëntor ndërsa emisioni i xhiruar në Kiev, ku flitet për sfidat për njohjen e Kosovës nga Ukraina gjatë një bisede të gjatë me Oleksandr Merezhko, kryetarin e komisionit parlamentar për politikë të jashtme në parlamentin e Ukrainës i cili vie nga radhët e partisë së Zelensk-it, “Shërbyesit e Popullit”, do të transmetohet gjatë nëntorit. 

Kjo reportazh është mundësuar nga “Donbas Media Forum” që përkrahu udhëtimin në Kiev dhe “Political Tours” që përkrahu udhëtimin në Moldavi & Odesa.