Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin. Fotografi nga arkivi/REL.

Lukashenka: Prigozhin ndodhet në Bjellorusi

Lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha se themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, ndodhet në Bjellorusi.

“Po, është e vërtetë [Prigozhin] në Bjellorusi sot. I kam premtuar atij, i kam thënë se nëse dëshiron të qëndrojnë te ne, ne do t’i ndihmojmë”, tha Lukashenka.

Udhëheqësi bjellorus tha se janë dhënë “garanci të sigurisë” për Prigozhinin, ashtu siç kishte premtuar presidenti rus, Vldimir Putin.

Lukashenka tha se Prigozhin do të qëndrojë në Bjellorusi dhe shpenzimet do të paguhen nga Wagner-i.

Lukashenka ka ndërmjetësuar një marrëveshje me Moskën, sipas së cilës, luftëtarët dhe shefi i Wagner-it do të lejohen të qëndrojnë në Bjellorusi, pas rebelimit të grupit mercenar gjatë fundjavës.

Pas ndërprerjes së rebelimit, Kremlini deklaroi se Prigozhin ishte nisur drejt Bjellorusisë. Por, më 26 qershor, gjatë adresimit përmes një audio-mesazhi, Prigozhin nuk tregoi vendndodhjen e tij.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se pjesëtarët e Wagner-it që nuk kanë marrë pjesë në rebelimin e fundjavës, mund t’i bashkohen ushtrisë ruse ose të shkojnë në Bjellorusi.

Trupat e Wagner-it më 24 qershor morën nën kontroll qytetin jugperëndimor Roston-on-Don, dhe u nisën drejt Moskës, dhe më pas ndaluan marshimin e tyre rreth 200 kilometra larg nga kryeqyteti rus. Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, tha se ndalimi i marshimit u bë “për të parandaluar gjakderdhjen”.

Prigozhin tha se marshimi i trupave të tij drejt Moskës nuk kishte për qëllim rrëzimin e Qeverisë ruse, por për të vënë në pah paaftësinë e udhëheqjes ushtarake ruse në luftën kundër Ukrainës./REL.