Lufta në Ukrainë: Zhvillimet kryesore të ditës së hënë

Bisedimet midis negociatorëve nga Ukraina dhe Rusia në kufirin bjellorus kanë përfunduar dhe të dyja palët janë zotuar për një raund të ri bisedimesh. Delegacioni nga Kievi bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të forcave ruse. Pritshmëritë për ndonjë progres janë të ulëta.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka mbajtur një seancë të rrallë urgjente, me Sekretarin e Përgjithshëm që ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Ekziston frika për shumë viktima civile në qytetin e dytë të Ukrainës, Kharkiv, ndërkohë që sulmet ruse vazhdojnë ende. Kryediplomati i BE-së thotë se pushtimi rus po bëhet “më i pamëshirshëm”, por qytetet ukrainase po rezistojnë.

FIFA e ka përjashtuar Rusinë nga Kupa e Botës në Katar. Në një deklaratë të përbashkët nga organi botëror i futbollit dhe UEFA thuhet se ekipet kombëtare dhe klube ruse do të ndalohen “deri në një njoftim të mëtejshëm” si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Rubla ruse ra 30% kundrejt dollarit amerikan përpara se të rikuperohej lehtë. Kjo ndodhi pasi vendet perëndimore morën vendim për t’i bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT dhe për ta kufizuar përdorimin e Rusisë të rezervave të saj masive në valutë të huaj.

Presidenti i Ukrainës Zelenskyy ka bërë thirrje për anëtarësim “të menjëhershëm” në BE.  Brukseli ka lënë të kuptohet për dallime opinionesh brenda bllokut të BE-së.

Qeveria ukrainase thotë se më shumë se 350 civilë janë vrarë (përfshirë 14 fëmijë), me afro 1700 të plagosur (përfshirë 116 fëmijë). OKB thotë se ka regjistruar 102 të vdekur civilë (përfshirë shtatë fëmijë) dhe 304 të plagosur, që nga fillimi i konfliktit.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë larguar tani nga Ukraina për në vendet fqinje, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR)./Euronews