Lufta në Ukrainë: Përmbledhje e ngjarjeve kryesore të ditës së sotme

Sot është dita e nëntë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, lufta e parë tokësore në Evropë në dekada. 

Luftimet kanë vazhduar të intensifikohen në qytetet kryesore, ndërsa më shumë se një milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull. 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Nëse sapo na jeni bashkangjitur, këto janë zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë:

Një zjarr që shpërtheu në një nga termocentralet më të mëdha bërthamore të Evropës pas bombardimeve të rënda nga forcat ruse u shua herët të premten, pasi qytetet kryesore të Ukrainës u sulmuan nga trupat pushtuese.

Zjarri në kompleksin e energjisë bërthamore të Zaporizhzhia fillimisht ngjalli frikën e një aksidenti të mundshëm, por zjarri është shuar që atëherë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha gjithashtu se reaktorët në termocentral janë të sigurt dhe asnjë material radioaktiv nuk është lëshuar.

Megjithatë, kreu i IAEA, Rafael Mariano Grossi, tha se ishte “e paprecedentë” të drejtohej një central bërthamor ndërsa operacionet ushtarake tërboheshin aty pranë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky udhëhoqi një kor udhëheqësish që dënuan Kremlinin për gjuajtjen e qëllimshme ndaj termocentralit bërthamor. Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se përleshjet në objektin bërthamor treguan “pamaturinë e kësaj lufte”, ndërsa Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab tha “është shumë e vështirë të besohet se nuk është bërë qëllimisht”.

Ndërkohë, operatori bërthamor i Ukrainës tha se menaxhimi i centralit tani “po operon nën kërcënimin e armës”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i mohoi këto akuza. Një zëdhënës tha se forcat e saj e morën kontrollin e termocentralit bërthamor dhe territorin ngjitur me të të hënën, por u sulmua nga një “grup sabotues ukrainas” herët në mëngjes të së premtes.

Qeveria ruse ka pretenduar në mënyrë rutinore dhe pa prova se qeveria ukrainase po organizon “provokime” për të provokuar një përgjigje ushtarake nga qeveritë perëndimore.

Ndërkohë Rusia po vazhdon me sulme ushtarake në qytetet kyçe të Ukrainës. Rusia po e vë nën rrethim qytetin kyç ukrainas të Mariupolit. Nënkryetari i bashkisë së këtij qyteti juglindor tha se qyteti  është “i rrethuar” nga forcat ruse dhe ka nevojë të madhe për ndihmë ushtarake dhe humanitare.

Në Ukrainën verilindore, 34 civilë u vranë nga sulmet ruse në rajonin e Kharkiv brenda një periudhe 24 orësh, thanë shërbimet e urgjencës të enjten. Kryebashkiaku i Kharkiv tha se ushtria ruse po përpiqet “qëllimisht ta eliminojë popullin ukrainas” pasi vazhdimisht po i targeton hapësirat civile. Trupat ruse po përparojnë gjithashtu drejt Odessa, qytet me rëndësi strategjike në bregun jugor.

Bisedimet ruso-ukrainase kanë përfunduar pa ndonjë progre. Një negociator ukrainas tha të enjten se një raund i dytë bisedimesh me Rusinë nuk dha asnjë rezultat që i nevojitej Ukrainës.

Megjithatë, sa i përket korridoreve humanitare, të dyja palët janë dakorduar. Zelensky tha se bota do ta shohë sot nëse ato korridore funksionojnë.

OKB-ja vlerëson se më shumë se 10 milionë njerëz mund të përfundojnë duke ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë, duke përfshirë 4 milionë që mund ta kalojnë kufirin në vendet fqinje. Më shumë se 1 milionë ukrainasë janë larguar tashmë./CNN