Lituania e ndihmon Ukrainën me 200 milionë euro për luftën e saj kundër Rusisë 

Presidenti i Ukrainës e ka nisur turneun e tij në vendet baltike me një udhëtim në Lituani, ku po kërkon mbështetje për luftën aktuale me Rusinë.

“Ukraina i ka treguar botës se ushtria e Rusisë mund të ndalet” – ka deklaruar Presidenti Volodymyr Zelenskyy të mërkurën teksa filloi një vizitë në vendet baltike në kërkim të më shumë ndihme për vendin e tij kundër forcave më të mëdha dhe të furnizuara më mirë të Kremlinit në 22-mujorin e pushtimit nga ana e forcave ruse.

Duke folur në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, Zelenskyy ka thënë se Ukraina ende ka nevojë ta forcojë mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve të intensifikuara të raketave dhe dronëve të Rusisë dhe t’i plotësojë furnizimet e saj me municione, pasi sulmet me rreze të gjatë bëhen tipari kryesor i luftimeve të këtij dimri.

Qeveria lituaneze ka konfirmuar një paketë ndihme prej 200 milionë eurosh për Ukrainën.

Zelenskyy do të diskutojë gjithashtu shpresat e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe ndërtimin e partneriteteve në prodhimin e dronëve dhe kapacitetet e luftës elektronike.

Zelenskyy falënderoi Lituaninë për ndihmën e saj ushtarake dhe vullnetin e mirë në luftën e deritanishme.

“Ne e dimë se sa e lodhshme është kjo luftë e gjatë dhe ne jemi të interesuar për fitoren e plotë të Ukrainës në të sa më shpejt të jetë e mundur” – u tha gazetarëve presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

Vendet e vogla janë ndër mbështetësit më të vendosur politikë, financiarë dhe ushtarakë të Ukrainës – disa në Baltik shqetësohen se ato mund të jenë objektivi i ardhshëm i Moskës.

Ata i kanë shtyrë aleatët e tjerë perëndimorë të Kievit të ofrojnë armë gjithnjë e më të sofistikuara që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022.

Në mesazhin e tij në Telegram, Zelenskyy shprehu mirënjohjen për vendet baltike për mbështetjen e tyre “të pakompromis” të Ukrainës gjatë 10 viteve të fundit, duke iu referuar vitit 2014 kur filloi agresioni rus me aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës.

Diplomacia energjike ndërkombëtare e Zelenskyy gjatë luftës ka qenë thelbësore për ta mbajtur presionin ndaj vendeve mike për të vazhduar furnizimin e Kievit me miliarda euro armatime, duke përfshirë tanket gjermane Leopard, sistemet e raketave amerikane Patriot dhe raketat e lundrimit britanik Storm Shadoë.

Sidoqoftë, kjo mbështetje është zvogëluar kohët e fundit. Një plan i administratës së Presidentit të SHBA Joe Biden për t’i dërguar Kievit miliarda dollarë ndihmë të mëtejshme ka ngecur në Kongresin Amerikan.

Premtimi i Evropës në muajin mars për të siguruar 1 milion predha artilerie brenda 12 muajve ka dështuar, me vetëm rreth 300,000 të dorëzuara deri më tani.

Ndërkohë, sulmet me rreze të gjatë nga forcat e Kremlinit kanë vazhduar./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala