Lista e 15 asamblistëve që po marrin pjesë në seancë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut

Në Komunën e Mitrovicës Veriore pritet që të kostituohet Kuvendi Komunal me zyrtarët e përzgjedhur për të bërë zëvendësimin e atyre që janë dorëhequr para disa javësh.

KALLXO.com po qëndron në këtë komunë në të cilën pritet të fillojë edhe procesi dhe mbledhja e Kuvendit Komunal.

Në anën tjetër në afërsi të komunës janë duke qëndruar edhe një patrullë e policisë së rendit ndërsa vetëm pak metra më lartë janë të pozicionuar një ekip tjetër e policisë.

Seanca konstituive pritet të filloj nga ora 13:00, përderisa burime të KALLXO.com bëjnë me dije se janë duke u bërë përgatitje për fillimin e mbajtjes së kësaj seance dhe se kushtet për mbajtje të seancës tashmë ekzistojnë.

Siç bëjnë me dije burimet, janë gjithsej 15 asamblistë që do të marrin pjesë në këtë seancë.

KALLXO.com ka siguruar listën e këtyre asamblistëve të cilët janë: Skender Sadiku, Flutura Hamza-Azemi, Aida Ferati-Doli, Nedzat Ugljanin, Bashkim Cimili, Gzim Alushi, Erden Atiq, Petrit Miftari, Arben Smajli, Meleke Kelmendi-Shipoli, Naxhije Hamza-Xhema, Lumni Xhaka, Jahir Demaku, Betim Osmani,Adelisa Gjushinca, Dusan Milunovic.

 

Lista e asamblistëve

Me 5 nëntor 2022, në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Zgjedhjet për këto komuna ishin planifikuar që të mbaheshin me 18 dhjetor 2022, mirëpo më pas për shkak të tensioneve në veri u shtyen deri më 23 prill të 2023-ës.

Më 6 dhjetor 2022 kishte qenë e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunal së bashku me zyrtarë të KQZ-së, MAPL-së të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe.

Mirëpo, diçka e tillë nuk ishte lejuar pasi zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit ishin demoluar.

Tensionet në veri tash e një kohë janë shtuar. Sot po bëhen katër ditë që kur grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar në tërësi qarkullimin me vetura.

Qytetarët të cilët duhet të dalin jashtë barrikadave duhet të përdorin rrugë alternative duke shfrytëzuar edhe oborret e komshinjve të tyre.

Disa të tjerë, po kalojnë barrikadat në këmbë e më pas po vazhdojnë drejtë Mitrovicës së Veriut.

KALLXO.com edhe sot po qëndron në Mitrovicë të Veriut dhe nga atje ju sjell zhvillimet e fundit.