Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com

Zyra e KKZ-së në Mitrovicën Veriore ende jashtë funksionit - VIDEO

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor e cila gjendet në Mitrovicën Veriore ende është jashtë funksionit që nga data 6 dhjetor të vitit 2022.

Kjo si pasojë e sulmit me mjete shpërthyese që u bë drejtë këtij objekti në ditën kur KQZ kishte dërguar të përzgjedhurit, zyrtarët e lartë për të nisur punën në këtë zyrë.

E mbyllur me një derë metali, objekti i KKZ-së vazhdon t’i ketë xhamat e thyera e të jetë e demoluar përbrenda pasi kishin shpërthyer disa mjete.

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com

Në brendësi shihet se një tavolinë është e thyer, një shtëpizë e një kompjuteri është dëmtuar ndërsa materialet zgjedhore vazhdojnë të mbesin brenda objektit.

Me granata dore e me mjete shpërthyese zyra e KKZ në Mitrovicë Veriore ishte sulmuar nga persona të dyshuar.

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com

 

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com

E gjitha kishte nisur kur fillimisht ishin përcaktuar datat e zgjedhjeve që do mbaheshin në katër komunat me shumicë serbe pas dorëheqjeve që u dhanë atje nga kryetarët e asamblistët.

Dorëheqjet pasuan pas suspendimit të ish-drejtorit të policisë në veri Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit kishte refuzuar që të vepronte në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe regjistrimin me targa RKS.

Ky suspendim shkaktoi tensione që pasuan për ditë me radhë.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor pati thënë në një intervistë të dhënë për KALLXO.com se nuk kishin arritur që të kishin një vlerësim të dëmit që ishte shkaktuar pas sulmit me mjete shpërthyese drejtë zyrës së KKZ-së në Mitrovicën Veriore.

Aktualisht edhe sot, zyra është e mbyllur por ende është e demoluar dhe jashtë funksionit.

KQZ nuk është përgjigjur në kërkesën e KALLXO.com nëse kanë pasur qasje në këtë zyrë për ta rregulluar meqenëse së shpejti pritet të mbahen zgjedhjet në atë zonë.

23 prilli është data e cila është vendosur nga KQZ për zgjedhjet në veri të Mitrovicës.

Deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga institucionet e rendit, KQZ e Presidenca nëse kanë përpiluar ndonjë raport që tregon aspektin e sigurisë së mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe.

Një vlerësim i tillë ishte bërë para dhjetorit të vitit të kaluar, raport ky i cili ishte dërguar nga Policia e Kosovës në Komisionin Qendror Zgjedhor e më pas te presidentja Vjosa Osmani.

Kjo e fundit kishte vendosur që zgjedhjet të shtyheshin për shkak të situatës që ishte krijuar në veri të Mitrovicës.

Dyshimet se mbrapa sulmit të zyrës së KKZ-së qëndron ish- polici Dejan Pantiq:

Dejan Pantiq, një pjesëtar i MUP-it i integruar në Policinë e Kosovës ishte arrestuar në pikën kufitare Jarinje nën dyshimet se kishte gisht në sulmin ndaj zyrës së KKZ- së në veri të Mitrovicës.

Pantiq sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor.

Pas arrestimit të Pantiq reagimet ishin të shumta. Tensionet u ngritën sa që menjëherë filloi edhe barrikadimi i rrugëve të pjesës së veriut të Mitrovicës.

Qëllimi ishte që Pantiq të mos lejohej të transferohej për të mbajtur masën e paraburgimit të cilit iu caktua nga Gjykata.

Barrikadat qëndruan nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor.

Gjatë kësaj periudhe pati incidente të shumta. Policia e Kosovës konfirmoi se mbrapa barrikadave qëndrojnë grupe kriminale të armatosura.

Në anën tjetër, policia ishte sulmuar disa herë, një zyrtar policor ishte plagosur, njësi policore ishin sulmuar rrugëve, madje incidente u shënuan edhe me gazetarë.

Gjashtë ekipe të gazetarëve ishin sulmuar në veri të Mitrovicës, një nga ta edhe një ekip i KALLXO.com.

Këta të fundit ishin sulmuar në Lagjen e Boshnjakëve, më saktësisht te shkolla teknike nga persona të maskuar të cilët qëndronin në rrugë gjatë gjithë kohës.

Pas një sërë incidentesh të raportuara e sulme të ndryshme, organi i akuzës kërkoi që të ndryshoj vendimin për masën e sigurisë për Dejan Pantiq.

Ai edhe sot qëndron në arrest shtëpiak me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe vendim të Gjykatës Themelore.

Ndërrimi i masës në atë shtëpiak që konsiderohet masë më e lehtë u kritikua shumë nga institucionet në Kosovë.

Ishte fillimisht, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që kishte reaguar ndaj ndryshimit të masës së sigurisë për ish-policin Dejan Pantiq, nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Ajo e kishte quajtur këtë veprim si aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues.

“Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë  që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak” – kishte shkruar Haxhiu në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte deklaruar në lidhje me lirimin e Pantiq nga paraburgimi për të cilin, ai tha se e ka statusin e të burgosurit dhe është i pandehur për terrorizëm.

Kurti tutje kishte thënë se ka dëgjuar se Pantiq ishte në grevë urie dhe kishte probleme me zemër, sipas tij do mund të dërgohej në spital.

“Unë nuk e di çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit. Ai e ka statusin e të burgosurit por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë kam dëgjuar se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme, a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori”- deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit u shpreh kureshtar të dijë se cili është prokurori që e ka bërë kërkesën për arrest shtëpiak dhe gjyqtari që e ka aprovuar të njëjtën.

“Pra është gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së përkatësit të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta shoh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon” – shtoi Kurti.

Këto deklarata të të parit të ekzekutivit, si dhe ministres së drejtësisë, KGJK e KPK i kishin parë si tendencioze.