Komisioni Qendror i Zgjedhjeve- Foto: Facebook

Dorëhiqen zyrtarët komunalë të zgjedhjeve në katër komunat veriore

Katër zyrtarë komunalë të zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës kanë dorëzuar dorëheqjen.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfrimuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar njoftimin për dorëheqje të 4 Zyrtarëve Komunal të Zgjedhjeve në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. KQZ-ja do ta trajtojë këtë çështje dhe do t’iu mbajmë të informuar”- është prononcuar Elezi për KALLXO.com.

Përveç zyrtarëve komunalë, së fundmi janë dorëhequr deputetët e Listës Serbe si dhe zyrtarë policorë, prokurorë e gjyqtarë.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.