Letra e Premier Ligës diskutohet nga deputetët dhe KPM-ja në Komisionin për Media

Për herë të katërt para Komisionit për Media kanë raportuar anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media, KPM.

Valon Ramadani, kryetar i Komisionit Parlamentar për Media ka kërkuar sqarime për letrën e fundit nga Premier Liga.

Lidhur me këtë foli kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

“KPM qysh në shtator të 2023-tës ka filluar të interesohet për të drejtat për transmetimin e Premier Ligës, sepse kemi marrë shqetësim nga premiera që tre operatorë të licencuar janë duke e transmetuar pa të drejt ligën në Kosovë” – tha ai.

Tutje Mehmeti shtoi se Premier Liga iu ka kthyer përgjigje që Digitalb dhe Arena kanë të drejt për transmetimin e ndeshjeve për Kosovë.

Ai shtoi se më 27.09.2023 kanë kërkuar të dhëna për të parë se a kanë këta dy operatorë të drejt që te transmetojnë, meqenëse nuk janë të licencuara në KPM.

“Në rastin e Kosovës Premier Liga i ka nda të drejtat për gjuhën shqipe Digitalb, ndërsa për gjuhën serbe i janë dhënë të drejta Arena-s. Sipas kësaj letre thuhet se këto kanë të drejt të lidhin marrëveshje me palë të treta, me operatorë të tretë”– tha Mehmeti.

Ai tutje shtoi se kanë kërkuar nga Artmotion që t`ua sjellin një konfirmim që Arena i ka dhënë konfirmim që të transmetoj, shpërndajë kanalet e tyre.

“Dhe Arena ka konfirmuar edhe për ligat. Në bazë të këtyre letrave kemi ardh në përfundim që një operator i licencuar duhet të ketë një autorizim për transmetimin e Premier Ligës. Deri më tani interpretimi ynë ka qenë që kanë pas të drejt për të transmetuar” – u shpreh kryetari i KPM-së.

Tutje ai shtoi se letra e fundit që iu është përcjellë i ka shtyrë që të kërkojnë nga operatorët që t’i risjellin edhe njëherë marrëveshjet me Arena-n.

Kryetari i Komisionit parlamentar për media, Valon Ramadani, më 13.03.2024 ka publikuar një letër të pranuar nga liga e futbollit të Anglisë,  Premier League, në të cilën mohohet se “Artmotion” mund t’i transmetojë ndeshjet e saj.

Ramadani ka thënë se “transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”.

Lidhur me këtë çështje po më 13.03.2024 kishte reaguar KPM-ja duke thënë se sqarimet e dhëna nga Premier League në këtë letër paraqesin informata deri më tani të panjohura për KPM-në.

KPM reagon lidhur me letrën e Premier League për të drejtat e transmetimit të ndeshjeve