Ndërrimi i tabelave të komunikacionit në veri. Foto: Liburin Aliu/Facebook

Leposaviq, dëmtoi dy shenja të trafikut, arrestohet shtetasi i Serbisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se i ka dëmtuar dy shenja të trafikut në Leposaviq pas mesnatës së datës 16.03.2024.

I dyshuari me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje.

Rasti po trajtohet si “vandalizëm”.

Më 14.03.2024 Ministria e Infrastrukturës ka nisur vendosjen e tabelave që tregojnë emrat e vendbanimeve në Komunën e Leposaviqit, në gjuhën shqipe dhe në atë serbe.

Disa nga tabelat që tregojnë emrat e vendbanimeve në shqip dhe serbisht, në Leposaviq janë përshkëllyer më 15.03.2024 me ngjyrë gjatë natës, emrat në shqip.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë këtë konsultim me Komisionerin për Gjuhë, Slavisha Mladenoviq.

Mladenoviq ka thënë se ka kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe së shpejti do të kërkojë takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, në lidhje me këtë çështje.

Po ashtu, Mladenoviq deklaroi se janë njoftuar përmes mediave për këtë zëvendësim të tabelave dhe kanë parë se rënditja e gjuhës në këto tabela është gabim, sipas tij duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport e ka mbështetur Komisionerin për Gjuhë në lidhje me shkrimin në tabela të emrave të vendbanimeve në veri të Kosovës, të cilat kanë filluar të zëvendësohen në gjuhën shqipe dhe atë serbe, më 14.03.2024.

Davenport konsideron se hapat e zëvendësimit të këtyre tabelave duhet të ndjekin konsultimin me Zyrën e Komisonierit për Gjuhë.

Përveç tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog u ka bërë thirrje më 15.03.2024 autoriteteve që procesi i zëvendësimit të tabelave të zbatohet pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhës.