Foto: Atdhe Mulla

LDK thotë se po bëhet fushatë kundër ShBA-së nga VV, fton Albin Kurtin që ta dënojë atë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se po bëhet një fushatë “e ulët linçuese” ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpër rrjete sociale e me deklarime publike nga këshilltarët e kryeministrit në detyrë Albin Kurti e e cila po vazhdon edhe nga përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas partisë, e cila doli e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare, ShBA meriton respekt nga qytetarët e Kosovës.

Partia e Isa Mustafës e ka dënuar fushatën kundër ShBA-së nëpërmjet një reagimi.

“LDK dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve”, thuhet në reagim.

“Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme. Fryma e fushatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së”, thuhet tutje në reagim.

“LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb. LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj. SHBA meriton respekt dhe falënderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj”, thuhet në fund të njoftimit për media të LDK-së.