LDK nuk është pishman që nuk hyri në listë të përbashkët me LVV-në

Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës beson se ka gjasa që partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje të kishin marrë më shumë vota nëse do të kishin garuar së bashku për zgjedhjet e 6 tetorit.

Megjithatë, Mustafa në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, tha se nuk është pishman që nuk hyri në koalicion parazgjedhor.

“Jo nuk jemi pishman sepse kjo është mënyra ma e mirë që çdo subjekt ta masë vetveten. Në një listë do të ishte vështirë ta dimë se kush fitoi dhe kush nuk fitoi prej këtyre dy subjekteve. Nuk ka qenë vetëm te çështja që e kemi kushtëzuar për çështjen e kryeministrit”, tha Mustafa.

Ai shtoi se kishin qenë të bindur që LDK do të dilte e para në këto zgjedhje.

“Parimisht ne kemi qenë partia e parë atëherë dhe deri dy tre ditë para se me shku në votim ndoshta edhe ën ditën e votimit e kemi llogaritë veten të parët. Tani është një situatë tjetër”, deklaroi Mustafa

Ai shtoi se nuk do ta thyejnë parimin që kryeministri t’i takojë partisë që ka marrë më shumë vota.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, rezultatet e së cilave ende nuk janë çertifikuar, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithatë, takime në mes liderëve nuk kanë ndodhur dhe nuk priten të ndodhin deri në certifikim.

Përballë Jeta Xharrës, Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosjëe për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: