Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës/ Foto: KALLXO.com

LDK: Në shkurt 45 mjekë janë larguar nga vendi, Qeveria nuk ka strategji e as vullnet për ta parandaluar këtë

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si shqetësuese dhe rrezik për sistemin shëndetësor ikjen e mjekëve nga Kosova.

Ata kanë shkruar se gjatë muajit shkurt 45 mjekë janë larguar nga Kosova.

“Ikja masive e mjekëve nga Kosova, është shqetësuese dhe paraqet rrezik serioz për gjithë sistemin shëndetësor. Vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, 45 prej tyre janë larguar nga vendi. Numri i vogël i mjekëve në Kosovë gjithë këtë situatë e bën akoma më të rrezikshme”, shkruan LDK.

LDK ka thënë se i sheh me shqetësim deklaratat e zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, rreth ikjes së mjekëve nga Kosova. Para disa ditëve, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e ka cilësuar sot si diçka normale ikjen e mjekëve nga Kosoca, sepse sipas tij, mjekët ikin edhe nga Gjermania.

“Për dallim nga vendet që i ka përmendur zv. kryeministri, në Kosovë qytete të tëra veprojnë me vetëm nga një mjek familjarë, për gjithë territorin e tyre”, thuhet në postimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, Kosova nuk ka kapacitete sikurse vendet e zhvilluara që i ka përmendur zv. kryeministri Bislimi në zëvendësimin e mjekëve.

LDK gjithashtu shkruan se Qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet mbi trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së mjekëve duke shtuar se kjo sipas tyre i kushton buxhetit të Kosovës dhjetëra mijëra euro.

“Qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet mbi trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së tyre. Ikja e një mjeku të shkolluar në vendin tonë, i kushton buxhetit të shtetit dhjetëra mijëra euro. Kjo qeveri duhet të ndërmarrë me urgjencë hapa strategjik në parandalimin e kësaj dukurie, si ngritja e pagës për punëtorët shëndetësor e ndarja e specializimeve sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore. Të gjitha këto në shërbim të ofrimit të kushteve të dinjitetshme për ta”, shkruan LDK.