Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Arben Vitia flet për mundësinë e ikjes së mjekëve pas 1 janarit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për mundësinë e ikjes së mjekëve nga Kosova pas liberalizimit të vizave, më 1 janar 2024.

Miratimi i Ligjit të pagave dhe investimet në shëndetësi do të ndikojnë që mjekët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë të mos ikin nga Kosova, pas liberalizimit të vizave, tha ministri Vitia.

I ftuar në Radiotelevizionin e Kosovës, Vitia tha se nuk mund ta dijë nëse mjekët do të ikin nga 1 janari.

“Nuk mund ta di, një pjesë ndoshta do të shkojnë ta provojnë, një pjesë e mirë e tyre ndoshta edhe do të kthehen. Mirëpo, sinqerisht nuk mund ta di dhe nuk mund të paragjykoj” – tha ai.

Deri në miratimin e Ligjit të pagave, Vitia tha se profesionistët shëndetësorë edhe kanë pasur arsye që të ikin, sepse nuk janë vlerësuar financiarisht. Mirëpo tani, ministri thotë se kjo kategori ka përfituar më së shumti.

“Tash një mjek specialist bazuar jo vetëm në rrogën bazë e cila shkon bruto në 1,260 euro, por edhe në kujdestari dhe shtesa të tjera, rrallë ndonjë mjek specialist sidomos në institucionet sekondare dhe terciare e ka rrogën nën 2 mijë euro” – u shpreh ai.

“Një aspekt tjetër janë kushtet e punës dhe mundësia për zhvillim të vazhdueshëm profesional, tanimë po bëhen investime të mjaftueshme që të vijnë teknologji të reja, metoda inovative, në mënyrë që profesionistët tanë shëndetësorë të kenë mundësi të zhvillohen në mënyrë profesionale dhe në anën tjetër të kenë mundësi t’i ofrojnë këto shërbime qytetarëve, që deri tash një pjesë të madhe të tyre i kanë marrë jashtë Kosovës” – shtoi Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë tha se janë përcaktuar për një reformë të pakthyeshme në shëndetësi e jo me intervenime të pjesshme, që sipas tij kanë ndodhur në të kalaurën.

Ligjin për sigurime shëndetësore Vitia tha se do të mund ta bënin edhe sivjet por shtoi se kanë dashur ta bëjnë pa kthim prapa, duke u bazuar në analizë.

Prandaj, premtoi se ky Ligj bashkë me Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) që janë procese të lidhura, do të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm.

“Janë disa ligje të cilat edhe kërkojnë analizë, edhe kërkojnë diskutime, edhe kërkojnë çdo imtësi brenda që të mos eksperimentohet, sepse po të fillojë zbatimi i këtij ligji nuk ka më shans të dytë. Prandaj kemi pasur disa vonesa” – tha ai.

Kreu i shëndetësisë tha se viti 2024 do të jetë vit i SISH-it dhe që në gjysmën e dytë të këtij viti do të jenë frytet e para të këtij Sistemi, që pasohet me hapa konkretë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ligji për sigurime shëndetësore, sipas Vitisë, është në fazat përfundimtare dhe do të bëhet në janar ose shkurt 2024.

Mungesa e sigurimeve shëndetësore bëri që Policia e Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës të nënshkruajnë një marrëveshje përmes të cilës personeli policor do të marrë shërbime shëndetësore me prioritet. Kjo marrëveshjeje bie në kundërshtim me legjislacionin për shëndetësi, që parasheh qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët.