Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Lavrov viziton Serbinë pak ditë para zgjedhjeve

Vizita e deklaruar por e pakonfirmuar e ministrit të jashtëm të Rusisë në Beograd në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi është parë gjerësisht si një lëvizje për të rritur partitë në pushtet të Serbisë.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të fillojë një vizitë në Serbi më 18 qershor, sipas homologut të tij serb, Ivica Daçiq. Vizita u bë e ditur në kohën e duhur që përkon me përfundimin e fushatës zgjedhore në shtetin pro-rus, raporton Balkan Insight.

Daçiq njoftoi vizitën të dielën gjatë një mbledhimi të Partisë së tij Socialiste në Beograd. Ende nuk ka konfirmime zyrtare në faqet e ministrive serbe ose ruse, dhe zyrtarët serbë nuk iu përgjigjen pyetjeve të BIRN për vizitën.

Presidenti Aleksandar Vuçiq u takua të dielën me ambasadorin rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko. Sipas njoftimit për shtyp, diplomati e ftoi Vuçiqin të marrë pjesë në paradën e shtyrë të Ditës së Fitores për nder të Luftës së Dytë Botërore në Moskë më 24 qershor. Ai tha që të dy janë, “duke pritur ardhjen e një zyrtari të lartë të Rusisë në Beograd së shpejti, dhe diskutuan marrëdhëniet bilaterale midis Serbisë dhe Rusisë, si dhe çështjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Rusia është aleat i afërt me Serbinë në çështjen Kosovës, e cila shpalli pavarësinë me përkrahjen e perëndimit në vitin 2008.

Vizita e Lavrovit ishte planifikuar për 24 mars që do rastiste me përvjetorin e bombardimit të Jugosllavisë nga NATO në vitin 1999, që e detyroi Serbinë të dorëzojë kontrollin e Kosovës.

Por ajo vizitë u anulua për shkak të situatës me COVID-19. Agjencia e lajmeve të Serbisë ‘Tanjug’ raportoi se vizita do përfshinte një dorëzim ceremonial të një faqe të Ungjillit të Mirosllavit, i cili mbahet në Shën Petersburg. Dorëshkrimi i shekullit të 12-të është dorëshkrimi më i vjetër i ruajtur i ilustruar në çirilicën serbe.

Daçiq ka deklaruar se Lavrov do jetë në Serbi më 18 dhe 19 qershor ndërsa zgjedhjet parlamentare në Serbi janë caktuar për 21 qershor.

Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonalizëm, tha se koha e vizitës së lavrovit nuk përbën befasi.

Sipas tij, vizita do të shërbejë si apel për votuesit nacionalistë të Partisë Progresive Serbe në pushtet, SNS, të cilën e udhëheq Vuçiq, dhe për shumë njerëz të tjerë pro-rusë në Serbi.