Largohen barikadat në Zupç të Zubin Potokut

Kamionët e vendosur në barikadën në fshatin Zupç të Zubin Potokut, janë larguar sot.

Largimi i barrikadave është bërë gati tri javë pas fillimit të vendosjes së tyre.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron në veri të vendit, dhe ka sjellë pamje nga rruga ku kanë qenë të vendosura barikadat, e cila tashmë është liruar për qarkullim.

Rruga në Zupç të Zubin Potokut pas largimit të barrikadave. 30.12.2022, Foto: KALLXO.com

Largimi i barikadave ka filluar dje, në ditën e 20-të të vendosjes së tyre në disa vende në pjesën veriore të Kosovës.

Largimi i tyre ka ardhur pas takimit që presidenti i Serbisë e ka mbajtur të merkurën në Rashkë, ku u premtua që brenda 24 deri në 48 orë do të bëhet largimi i barikadave.

Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka organizuar sulmet që ndodhën në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore. Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.