Lajçak: Zvogëlimi i numrit të policëve në veri - hap i rëndësishëm për shtendosjen e plotë të situatës

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25% në dhe përreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak shprehet se ky është një hap i rëndësishëm drejt shtendosjes së plotë të tensioneve në veri të Kosovës.

“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it në Kosovë dhe KFOR-it siç është rënë dakord në Bratisllavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt shtendosjes së plotë të tensioneve në veri të Kosovës”-  ka shkruar Lajçak në Twitter.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga nesër do të fillojë zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të saj për 25% në dhe përreth objekteve komunale në veri.

Njoftimi ka ardhur pas një takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.