Ilustrim

Nga nesër fillon zvogëlimi i numrit të policëve në komunat veriore

Nga nesër do të fillojë zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media duke njoftuar se është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.

Në komunikatën për media është thënë se sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.

“Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Forcat e rendit në objektet e komunave veriore përkatësisht në Zubin, Potok, Zveçan dhe Leposaviq janë shtuar pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ato komuna.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.