Lajçak për barrikadat: Mënyra më e mirë është të hiqen me marrëveshje politike e jo me buldozerë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se po përpiqen të identifikojmë mënyra si të depërshkallëzojmë situatën pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Lajçak për situatën në veri ka thënë se është një situatë e vështirë dhe se tensionet nuk i ndihmojnë askujt.

Ai ka thënë se mënyra më e mirë për heqjen e barrikadave është marrëveshja politike.

“Unë jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse bëhet si rezultat i një marrëveshjeje politike e jo me buldozerë” – tha Lajçak.

Tutje ai ka thënë se me Kurtin ka diskutar një serë çështjesh dhe se për të njëjtat çështje do të jetë nesër në Beograd.

“Pata diskutim të gjatë me Kurtin për një sërë çështjesh dhe nuk do të japë detaje sepse është në mesin e misionit tim pasi nesër do të jem në Beograd. Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje të mundshme sepse kjo nuk është e mirë dhe nuk mund të përballojmë që vetëm të presim që të ndodhë diçka e keqe. Tensionet nuk e ndihmojnë askënd. Kemi ardhur në këtë moment, dhe unë nuk dua të drejtoj gishtin por ne jemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje” – ka thënë Lajçak.

Tutje ai shtoi që sonte, pas takimit me Kurtin do të takohet me përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it lidhur me situatën e krijuar.

Ai është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat nga Serbia se Beogradi do të sjellë ushtarë në Kosovë. Lajçaku ka thënë se janë thënë shumë gjëra dhe se gjendja është e tensionuar.

“Shumë gjëra janë thënë ditëve të fundit, atmosfera është e nxehtë prandaj duhet të fokusohemi në gjërat që kanë rëndësi dhe që njerëzit të kthehen në normalitet”- ka thënë Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim sonte përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar pas takimi tha se temë diskutimi në këtë takim ishte zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe plani franko-gjerman, ndërsa tha se diskutuan për nevojën që palët të qëndrojnë të qetë.

“Ne diskutuam për nevojën që të gjithë të qëndrojnë të qetë, nevojën për vazhdimin e dialogut. Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë”- tha Escobar.

Vizita e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak  në Kosovë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.