Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. FOTO: Mirosllav Lajçak/ twitter

Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Energjia dhe targat ishin në krye të axhendës tonë

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Lajçak ka bërë të ditur se temat kryesore të diskutimit ishin energjia dhe targat, pasi që, sipas tij, këtyre temave u duhet një zgjidhje urgjente.

“Në Beograd sot vazhdova diskutimin tim të hapur dhe serioz me Aleksandar Vuçiqin në rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve. Energjia dhe targat ishin në krye të axhendës tonë pasi nevojiten urgjentisht zgjidhje” – ka shkruajtur Laçak në Twitter, duke shtuar se ka biseduar edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

 

Të enjten e 13 tetorit, Lajçak ka qëndruar në Kosovë, ku ka zhvilluar takime me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Lajçak kishte potencuar se vizita në Kosovë është pjesë e komunikimit të rregullt dhe kishte thënë se në këtë takim janë diskutuar dy çështje.

“Ajo se çfarë mund të ju them është se vizita e sotme në Kosovë është pjesë e komunikimit të rregullt, me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin. I kishim dy tema në agjendën tonë që janë normalizimi dhe vazhdimi i diskutimeve të fundit, që vazhduan edhe me intervenimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe të sekretarit Blinken. Kemi diskutuar për hapat e radhës”- kishte deklaruar ai gjersa kishte thënë se cështja e dytë për të cilën ishte diksutar në kët takim kishte qenë për energjinë dhe targat e veturave.

Dialogu për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar që nga viti 2011.

Në kuadër të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë arritur mbi 30 marrëveshje.

Takimi i fundit mes i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq është mbajtur më 18 gusht të këtij viti.

Në këtë datë  ishte hera e tretë që u mbajt takimi i nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mirëpo, në këtë takim nuk u arrit asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo u bë e ditur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili njoftoi se nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.