Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar para mediave pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak ka thënë se vizita e sotme është pjesë e komunikimit të rregullt dhe se në takim janë diskutuar dy çështje. Pejsë e takimit ishte edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Ajo se çfarë mund të ju them është se vizita e sotme në Kosovë është pjesë e komunikimit të rregullt, me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin. I kishim dy tema në agjendën tonë që janë normalizimi dhe vazhdimi i diskutimeve të fundit, që vazhduan edhe me intervenimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe të sekretarit Blinken. Kemi diskutuar për hapat e radhës”- ka deklaruar Lajçak.

Sa i përket temës së dytë, Lajçak thotë se kanë diskutuar për energjinë dhe targat e veturave.

“Tema e dytë e agjendës ishte çështja aktuale, përkatësisht ajo me energjinë dhe ajo e targave të veturave pasi siç e dini afati i fundit është në fund të tetorit dhe është e rëndësishme për ne që të dijmë planet si dhe të shmangim situata të cilat mund të eskalojnë, sepse nuk është në interesin e askujt”- ka thënë Lajçak.

“Kur jemi tek energjia, jemi në proces të konsultimeve. I kam ftuar të gjithë palët e interesuara në Bruksel të hënën të diskutojmë për situatën. Është e rëndësishme për mua që ta sjellë një konkluzion rreth diskutimeve me kryeministrin dhe të për të diskutuar rrugën përpara”- shtoi ai.

I dërguari i posasçëm ka njoftuar se të hënën do të jetë në Begrad për të njëjtin qëllim dhe të njëjtën agjendë.

“Do të jem në Beograd të hënën, për të njëjtin qëllim dhe të njëjtën agjendë dhe sigurisht që dua të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet që janë të hapura”- është shprehur Lajçak.