Foto: Aleksandar Vuçiq, Instagram

Lajçak dhe Vuçiq takohen në Beograd, flasin për dialogun

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është takuar sot me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Vuçiq ka thënë se kanë pasur një bisedë serioze për çështje të hapura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne vazhdojmë të luftojmë për të shpëtuar vendin dhe popullin tonë duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar. Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”-ka shkruar Vuçiq.

Të enjten e kaluar, me 13 tetor, Lajçak ka qëndruar në Kosovë ku edhe ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Lajçak ka thënë se vizita në Kosovë është pjesë e komunikimit të rregullt dhe se në takim janë diskutuar dy çështje.

“Ajo se çfarë mund të ju them është se vizita e sotme në Kosovë është pjesë e komunikimit të rregullt, me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin. I kishim dy tema në agjendën tonë që janë normalizimi dhe vazhdimi i diskutimeve të fundit, që vazhduan edhe me intervenimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe të sekretarit Blinken. Kemi diskutuar për hapat e radhës”- ka deklaruar Lajçak.

Sa i përket temës së dytë, Lajçak thotë se kanë diskutuar për energjinë dhe targat e veturave.

“Tema e dytë e agjendës ishte çështja aktuale, përkatësisht ajo me energjinë dhe ajo e targave të veturave pasi siç e dini afati i fundit është në fund të tetorit dhe është e rëndësishme për ne që të dijmë planet si dhe të shmangim situata të cilat mund të eskalojnë, sepse nuk është në interesin e askujt”- ka thënë Lajçak.

Dialogu për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar që nga viti 2011.

Në kuadër të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë arritur mbi 30 marrëveshje.

Takimi i fundit mes i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq është mbajtur më 18 gusht.