Lajçak pas takimit me Bislimin: Biseduam për krizën aktuale në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Lajçak ka thënë se në takimin e sotëm kanë diskutuar për atë që siç e ka quajtur ai “krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka thënë se në veçanti është diskutuar edhe çështja e targave.

“Me zv. kryeministrin Besnik Bislimi, sot po diskutoj për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave”- ka shkruar Lajçak në Twitter.

Më tej, ai ka thënë se çdo përshkallëzim është i papranueshëm.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të automjeteve me targa të paligjshme serbe.

Këto makina, rreth 9.000 sosh, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Në një konferencë për media dje, Josep Borrell tha se “mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve”.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, ose siç tha, “do të kemi situatë të rrezikshme”.

Borrell tha se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave dhe çështje tjera. Ai tha se po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedoj me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit”- tha ai.

Borrell tha dje se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.