Lajçak: Me Vuçiqin biseduam për hapat e ardhshëm në dialog

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar sot në Davos të Zvicrës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka biseduar për hapat e ardhshëm në dialog.

Lajçak, përmes një postimi në rrjetin “X”, ka thënë se me presidentin serb kishte një diskutim të rëndësishëm.

Ai tha se kanë folur për çështje aktuale urgjente.

“Kisha një diskutim të rëndësishëm me presidentin e Republikës së Serbisë për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe hapat e ardhshëm në periudhën e ardhshme. Folëm edhe për çështje aktuale urgjente”- ka shkruar ai.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se e ka paralajmëruar të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, për veprimet e Prishtinës në procesin e dialogut.

“Bisedë e hapur me Mirosllav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe Metohi dhe kërcënimet me të cilat përballet popullata serbe çdo ditë, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit” – ka thënë Vuçiq përmes një postimi në “Instagram”.

Në këtë Forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse ai do të ketë një takim me Vuçiqin këto ditë.

Ditë më parë, Lajçak ka diskutuar për dialogun edhe me zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu në Davos, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.