Lajçak: Liberalizimi i vizave nuk është çështje e dialogut, Kosova e ka merituar para shumë kohe

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është çështje e procesit të dialogut.

“Unë vërtetë besoj se Kosova meriton që t`i jepet regjimi pa viza, e ka merituar para shumë kohe, por Komisioni Evropian e ka thënë shumë qartë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, por e dini se kjo nuk është çështje e dialogut”, theksoi ai.

Sipas tij, kjo është çështje e vendeve anëtare, duke theksuar se shpreson që shumë shpejtë do të zgjidhet.

“Është çështje që kërkon marrëveshje koncensuale të 27 vendeve anëtare, dhe mund të ju them se sa herë që informoj shtetet anëtare e ngrisë këtë çështje, se sa e dhimbshme është kjo çështje në Kosovë, vërtet shpresoj se nuk do të marrë shumë kohë para se të shohim një liberalizim të vizave”, theksoi ai në një konferencë për media në Prishtinë.

Lajçak së bashku me Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qëndruar këto dy ditë në Kosovë ku kanë zhvilluar takime me liderët shtetëror si dhe partitë opozitare.