Një automjet me targa të Serbisë i ka mbuluar simbolet shtetërore me letra ngjitëse, 4 tetor, 2021. Foto: Bujar Terstena, REL

Lajçak: Është urgjente të arrihet një kompromis për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se urgjentisht duhet të arrihet një kompromis mes dy vendeve për çështjen e targave të automjeteve.

Lajçak njoftoi se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për të diskutuar rreth çështjes së targave.

“Ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e 7-të të GP-së për targa. Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje”, shkroi ai në twitter.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.

BE: Të enjten takohet grupi punues për targat