Ky është vendimi i Gjykatës për Dragisha Millenkoviq, i dyshuar për krime lufte

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit për krime lufte në Kosovë, Dragisha Millenkoviq.

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën Dragisha Millenkoviq nga Graçanica nën dyshimet për krime lufte.

Kurse Prokuroria Speciale ka parashtruar kërkesë për caktimit të masës së paraburgimit për të njëjtin.

Lidhur me kërkesën e tillë gjykata e Prishtinës mbajti sot seancën dëgjimore ku u shtjelluan arsyet e kësaj kërkese.

Gjatë kësaj seance, i dyshuari bashkë me mbrojtësin e tij Dejan Vasic kërkuan nga gjykata që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, në vend të paraburgimit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Millenkoviq po dyshohet se në luftën e fundit, në vitin 1999 në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.

Millenkoviq dyshohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga burgu i Dubravës në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet.

Përveç kësaj, mbi të burgosurit ishte ushtruar edhe dhunë psikike.

Këto veprime, Millenkoviq dyshohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish drejtori i burgut të qarkut të Prishtinës,  Ljubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.

Sipas prokurorit Special, Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.